Ecuria e Juventusit në muajin e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar. Bardhezinjtë fillimisht u eliminuan nga Porto në raundin e 1/8-ave të Champions League, duke hequr dorë nga objektivi madhor këtë sezon, ndërkohë që fundjavën e kaluar pësuan një humbje tronditëse ndaj Beneventos në Allianz Stadium, disfatë që i mban 10 pikë larg Interit kryesues dhe cenon shumë objektivin tjetër që është ai i fitimit të titullit të 10-të kampion radhazi në Serie A .
Një nga lojtarët e afruar me më shumë bujë te Juventusi gjatë verës së kaluar, Alvaro Morata është gjithashtu një nga futbollistët që është vendosur në diskutim me spanjollin që mund të largohet sërish në fund të këtij sezoni, pasi në muajt e fundit nuk i ka përmbushur aspak pritshmëritë e drejtuesve dhe stafit teknik dhe Juventusi mund të mos e blejë kartonin e tij nga Atletico Madrid. Por pavarsisht momentit jo, Morata ndihet mirë te bardhezinjtë dhe shpreson të qëndrojë siç ka theksuar vetë ai në një intervistë.
“Kur je në huazim te një klub, mendimi jot vlen pak. Unë isha i lumtur te Atletico Madrid dhe jam gjithashtu shumë i lumtur te Juventusi. Për momentin nuk kam folur me drejtuesit për të ardhmen, por kam një kontratë deri në fund të sezonit dhe dua ta respektoj në maksimum atë. Jemi në fillimet e një projekti të ri dhe dua të vazhdoj të luaj për Juven”, nënvizoi sulmuesi i dalë nga akademia e Realit të Madridit.
Më pas Morata u ndal të fliste për Cristiano Ronaldon për gjëndjen shpirtërore të portugezit dhe për të ardhmen e tij.


