Adnan Rrustemi: Anatomia e pulsit të pakënaqësisë

PUBLIKUAR

Hulumtimi i fundit i UNDP-së, “Pulsi Publik”, përveç tjerash, hartografon pakënaqësinë gati absolute të qytetarëve të Republikës në qeverinë dhe institucionet qendrore dhe shfaq një mosbesim sa shqetësues, aq edhe shpresëdhënës për përmbylljen përfundimtare të një mashtrimi të madh gjashtëmbëdhjetëvjeçar.

Me vetëm 14.6% të qytetarëve që janë të kënaqur me punën e Kryeministrit dhe me 18 % që janë të kënaqur me punën e institucioneve në përgjithësi,  kundrejt 68% që deklarohen të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik në Kosovë dhe 42% që janë të gatshëm që t’ju bashkohen protestave për arsye politike, qeveria aktuale nuk mund të jetë e qytetarëve të saj dhe jo e Kosovës. Ajo, në rastin më të mirë po i shërben vetës dhe familjarëve të tyre, e në rastin më të keq përveç vetës, djemve dhe vëllezërve të tyre, edhe Serbisë.

Pakënaqësia e pasqyruar, nuk është se po shfaqet në një rast të vetëm. E akumuluar përgjatë këtyre viteve, ajo vetëm po demonstrohet publikisht dhe pa hezitime.

Më tepër se kaq, bëhet fjalë për një përgënjeshtrim të hapur nga ana e qytetarëve të manipulimeve publike të kësaj strukture qeverisëse, të cilët të orientuar në pasurimin e tyre të paligjshëm, potencialin e manifestimit kolektiv të pakënaqësisë, përpiqeshin ta neutralizonin me gjoja proceset shtetndërtuese dhe me klientelizëm partiak e institucional, e kur nuk arrinin me dy të parat, përmes SHIK-ut prodhonin skenar të dezorientimit të publikut, deri në projektimin e skandaleve, të cilat i shfaqnin, për t’i mbyllur më pas vetë ata.

Prandaj, më poshtë se kaq nuk mund të shkohet! Si qeveri e pakicës për nga mbështetja e qytetarëve, e një pakice të pavërejtshme që, jo vetëm nga këndvështrimi i veprimeve dhe vendimeve të dëmshme, por edhe për nga aspekti formal, nuk ka asnjë bazë legjitimiteti për të qëndruar në këmbë, e lërë më të ndërmarrë vendime e veprime që prekin thelbin e rendit kushtetues dhe sovranitetin shtetëror.

Më tej, po të shikohen me kujdes dhe në një kontekst më të gjerë, këto të dhëna flasin për më shumë sesa thjesht krizë legjitimiteti. Nëse pakënaqësia me qeverinë dhe institucionet shënjojnë në terma dramatike gjendjen në të cilën ka rënë qeveria, në anën tjetër, mosbesimi në zgjedhje, ku vetëm 23% besojnë se zgjedhjet janë demokratike apo 77% e mendojnë të kundërtën, ndërsa 49% besojnë se përmes votës së tyre nuk mund ta ndryshojnë gjendjen në Kosovë, na shpërfaqin një tablo shqetësuese, por reale, se si mekanizmat e pandehura si të pavarura për të mundësuar legjitimimin popullor të institucioneve dhe proceseve, janë vënë në shërbim të përsëritjes të strukturave të njëjta jolegjitime, duke mundësuar diku, e përligjur  diku tjetër klientelizmin si fenomen elektoral.

Një qeverisje legjitime është e pamundur pa zgjedhje me integritet që përmbushin besimin e qytetarëve dhe akterëve tjerë dhe se instituti i votës është i paprekshëm, jo vetëm nga manipuluesit në ditën e zgjedhjeve, por edhe mjedisi i krijimit të opinioneve dhe qëndrimeve të votuesve përjashton klientelizmin dhe abuzimin me resurset shtetërore.

Si rrjedhojë, kontradikta e thellë në mes të pakënaqësisë së qytetarëve me qeverinë dhe orientimin e përgjithshëm politik të vendit dhe rezultateve zgjedhore, është paradoksal, por edhe zbërthyes, si asgjë tjetër, i ngrehinës piramidale të orientimit, përvetësimit, manipulimit dhe blerjes së votave, duke kualifikuar zgjedhjet në Kosovë si një mekanizëm të sendërtuar për të legalizuar teknikat e paligjshme të devijimit të vullnetit të zgjedhësve dhe certifikimin e pozicioneve elektorale të fabrikuara më parë, në vend se të shërbejnë si mundësi e shprehjes së pacenueshme të vullnetit politik të qytetarëve.

Rrjedhimisht, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, i  pari si Kryeministër e i dyti si kryetar i komunës së Prishtinës, kanë mishëruar deri në personifikim praktikat më të këqija të uzurpimit të pushtetit përmes klientelizmit të hapur dhe mbajtjes së tij përmes korrupsionit sistematik në çdo institucion e sferë publike. Duke shtrirë korrupsionin në çdo cep dhe deri në përmasa të mendësisë, brenda të cilit plaçkitjet dhe krimet e tyre nuk do të veçoheshin, ndërsa mosluftimi i korrupsionit do t’iu atribuohej tipareve psikologjike dhe kulturore të popullit, thua se është populli ai që po plaçkitë përditë nga pasuria publike dhe qeveritarët jetojnë në varfëri ekstreme.

Korrupsioni dhe koncesionet me Serbinë mbeten streha e parë dhe e fundit që, jo vetëm ua mundëson pushtetin, por edhe është mjedisi ku ata e ndjejnë se po jetojnë politikisht. Qetësia dhe ngërdheshja e tyre janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me zgjerimin dhe thellimin e korrupsionit dhe lëshimeve ndaj Serbisë.

Sa më shumë që ngërdheshen, aq më shumë korrupsioni dhe dialogu bëhen garantët e tyre dhe anasjelltas. Dhe aty, ku pozita qeveritare dhe publike përdoret vetëm për të shtuar paligjshëm pasurinë personale dhe koncesionet ndaj Serbisë, duke rënduar mbi qytetarët dhe integritetin shtetëror, evidente mbetet data e manifestimit të hapur dhe të vendosur të pjekurisë së qytetarëve kundër skenarëve SHIKiste të kësaj strukture qeveritare.

SHIKO MË SHUMË

Vjehrra rrah renë në Lipjan, Policia jep detaje

Në qytetin e Lipjanit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndodhur...

Dy infermiere të reja nga Lipjani model përkushtimi në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, nën moton “Infermierët tanë, e ardhmja jonë”,...

Policia kërkon ndihmë për identifikimin e një të dyshuari për grabitje në Lipjan

Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Njësiti...