Në datën e 21 korrikut, dy vite më parë ka ndërruar jetë shkrimtari, Ali Podrimja. Trupi i pajetë i Podrimës është gjetur i vdekur pranë lumit në një park në Lodeve të Francës, në kohën kur i ndjeri po merrte pjesë në festivalin e letërsisë “Zëri i mesdheut”. Në përkujtim të veprës së Podrimes, sot në Gjakovë do të zbulohet shtatorja e poetit, e punuar nga skulptori, Luan Mulliqi, ku edhe do të bëhet përurimi i sheshit Ali Podrimja.
Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në edicionin e botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Bëhet anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.
Poezinë e parë “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve”(1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo”(1969), “Torzo”(1971), “Lum, lumi”(1982), “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz”, librat në prozë “Burgu i hapur”(1998), “Harakiri” etj. Përveç poezive, Podrimja ka shkruar ese e tregime. Ka bashkëpunuar me revistat, gazetat e sitet online në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Ka fituar çmime të shumta letrare në Kosovë, Shqipëri, por edhe jashtë kufijve. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë./Zëri/


