LipjaniNews: Një info të shkurtër se kush është Esad Dujaka?
Esad Dujaka: Para 69 viteve pash dritën në Gjakovë. Aty e kalova femijërinë dhe rininë. Lexoja shumë si shumë moshatarë të gjeneratës sime. Asnjëherë nuk mora guximin që të shkruaja sepse mendoja ose të shkruaj ndryshe dhe pak më mire se të zakonshmit. Dhe, nuk jam penduar sepse edhe sot e kam atë bindje. U nisa të bëhem inxhinier i elektroteknikës (studiova në Zagreb) por nga kushtet e vështira ekonomike lash studimet dhe iu përkushtova mësuesisë dhe shfrtëzova rastin që nga atje të shkruaj skica, shënime dhe së fundi edhe reportazhe. Trokita në dyert e revistave të kohës por edhe në të përditshmen “Rilindja”… Dhe, kështu dalëngadalë nisa të dashurohem në këtë profesion i cili nëse të hyn në gjak nuk të lëshon kurrë – në gazetari…. E kam filluar në revistën “Zëri i rinisë” për të vazhduar për pak muaj në TV e Prishtinës. Pastaj shumë vite në gazetën “Rilindja” si reporter i lirë. Para lufte nga “Bujku” kalova në të përditshmën “ Kosova Sot” dhe nga paslufta jam në Rtv21.
LipjaniNews: Si ishte në atë kohë të ishit gazetar?
Esad Dujaka: Ani pse në një sistem totalitar-socialist, megjithatë ky profesion ka qenë i respektuar dhe çmohej shumë. Më kujtohet se në atë fillim karriere kur shkoja në terren për të gjurmuar ndonjë temë. I kisha të gjitha dyert e hapura, kryetari i komunës më priste para zyres së tij! Por, po e pranoj se nuk ka pasur gazetari të balancuar, por më shumë aso me direktiva, kur dikujt ia jepnim fjalën e dikujt jo (!), pra gazetari selektive. Le ta quajnë sot si të duan atë kohë, por gazetaria e asokohshme në Kosovë ka shfrytëzuar çdo kohë dhe hapsirë që të thotë edhe atë që i pëlqente lexuesit shqiptar të Kosovës. Nuk duhet harruar as kontributin që kanë dhënë gazetarët e dekadave të kaluara për të avancuar proceset positive që vinin dhe që ndryshonin rrjedhat e jetës për të mirë në Kosovë…
Kemi pasur Shoqatë të Gazetarëve të Kosovës, që ishte në kuadër të asaj jugosllave e anëtarët e kësaj shoqate ishin edhe anëtarë të asociacioneve ndërkombëtare evropiane, e me këtë kishim edhe disa beneficione që nga fluturimi me aeroplan, udhëtimi me tren e të tjera…
LipjaniNews: Cilat ishin vështirësitë e asaj kohe të depërtonit përmes Rilindjes?
Esad Dujaka: Edhe “Rilindja” si pjesë e pandashme me fatin e këtij populli të Kosovës, ishte e mbikëqyrur dhe nuk kishim mundësi që të shpreheshim lirisht si gazetarët e viseve të tjera të ish Jugosllavisë. Për këtë ishim të vetdijshëm dhe ishte mençuri që ta thonim një pjesë të së vërtetës. Aso kohe shpesh janë aplikuar të ashtuquajturat “diferencime politike” të cilat në Kosovë së pari nisnin në “Rilindje”. Duhej gjithësesi që sa herë kalonte furtuna politike mbi Prishtinë, të përjashtohej nga partia dhe puna edhe ndonjë gazetar i“Rilindjes” pasi si duket kjo ishte kiter se “në Kosovë po e qetësojmë situatën…”!
“Rilindja” ka qenë një dritare e hapur në horizontin e jetës së këtyre njerëzve! Ajo shpesh herë ka qenë jo vetëm burim i informimit por edhe i diturisë… E quajtën me të drejtë edhe Abetare e shqiptarëve të Kosovës…
“Rilindja” kishte rrjetin e vet të shitjes në mbarë Kosovën, pastaj edhe në Maqedoni, në Mal të Zi, madje është shitur edhe në Beograd për shqiptarët që jetonin atje, kurse për paradoks nuk ka pasur pike të shitjes në Tiranë!
Në të gjitha qendrat e Kosovës kemi pasur qendrat e korrespodenturës, pastaj gazetarë bashkëpunëtorë në viset e banuara me shqiptar nëpër Jugosllavi, kurse në Tiranë nuk kemi pasur askënd…
LipjaniNews: Shpalosni disa nga nostalgjitë tuaja gjatë kohës kur punonit në Rilindje?
Esad Dujaka: Përmes atyre viteve u ndesha me njerëz dhe fate të ndryshme. Isha bashkëpjesëmarrës i disa ngjarjeve nëpër të cilat kaloi Kosova, dhe asnjëherë nuk jam penduar pse zgjodha këtë profesion i cili sa është atraktiv dhe të bën fytyrë publike, aq edhe kërkon sakrificë sepse je njeri pa orë e pa orar dhe se në njëfarë mënyre i gjason furrëtarit se kur të tjerët flejnë ti je në punë.
Se sa ishte e çmuar ndër lexues “Rilindja” e askohshme po e them vetëm një kutjim kur isha redaktor i ‘Kronikës së Prishtinës” (në “Rilindje”). Më thirri në telefonin fiks një zë burri që mu ankua se në lagjen e tyre kishin këtë e këtë hall. Dhe, në fund e pyeta për emër, sepse mu bë që e njoha: Ishte hiq më pak se kryetari i qeverisë së asokoshme të Kosovës!
Dhe, një kujtim që e mbaj më të vaçantë: Një lexues aso kohe kur më njohu dhe më pa më tha “Eu bre, unë kam menduar se je 2 metra burrë, sipas shkrimeve tua…” Kjo për mua ishte një mirënjohje e paharruar nga një lexues i zakonshëm që tregoi besimin dhe respektin jo aq për mua sa për “Rilindjen”.
LipjaniNews: Si erdhi ideja e botimit të libri “Vitet e Rilindjes”?
Esad Dujaka: Pas luftës u mbyll edhe ‘Rilindja” episod ky hiq i lavdueshëm për ne dhe institucionet e vendit! Asnjë vend nga ish Jugosllavia nuk ka shuar gazetat e tyre “socialiste” pos Kosovës! Kjo është për keqardhje…. Dhe, nga një kujtim për të, kisha disa kujtime që një ditë mu mbush mendja t’i vendosja në letër. U jam mirënjohës miqëve të mi të gjeneratës, shkrimtarit e historianit Jusuf Buxhovi dhe skulptorit Agim Rudi që më shtyjtën ta realizoja këtë ide. Dhe, ia dola ta bëja gati për 12 shkurt në përvjetorin e 680 – të të daljes së numrit të parë të “Rilindjes” në Prizren…Ndërkaq një vit më vonë mblodha shkrimet që mendoja se ishin më me peshë dhe që janë edhe kronikë e kohëve të shkuara e të lavdishme të Kosovës i tubova në librin “‘Deja vu”.
LipjaniNews: A ka të bëj ndonjë shkrim i juaji me jetën tënde private?
Esad Dujaka: Po, pjesa e fundit në “Vitet e Rilindjes” është shkruar mbi një ngjarje të vërtetë e personale. Në pak faqe kam përshkruar goditjen që pësova nga kanceri në fyt. Desha ta përcjelli porosinë time se njeriu duhet të jetë i fortë, të ketë besim në vetëvete dhe në Zotin se vetëm kështu mund ngadhnjehët mbi ato të papritura që mund të të godas jeta…
LipjaniNews: A ka gazetari të mirëfilltë në Kosovë?
Esad Dujaka: Kjo është bukur e vështirë për ta zbërthyer! Të thuash se aty ku është shoqëria aty është edhe gazetaria. Më duket se gazetaria është në turr e vrap pas politikës. Në vendet europiane nuk merren kurrë me probleme partiake kurse ne aq shumë jemi dhënë pas tyre sa i kemi lënë anash problemet jetike që nga uji, rruga, mjeku, pensioni…Kur dikush aderon në x-y parti, ai do ta gjej vetën në faqet e para të gazetave tona.
Ka gazetarë të mirë, që kanë ego të veten, asi që ne nuk i kishim, gazetarë hulumtues. Por, ç’e do kur ata shpesh ngelin të vetmuar, nuk e kanë mbështetjen institucionale deri te siguria fizike!
Po, politika bënë presion mbi gazetarinë e sotme! Vështirë e kanë gazetarët të mos thyhen para këtyre presioneve, sepse mund të humbin edhe vendin e punës… Pra biznesi dhe politika interferojnë ndërmjet tyre dhe këtu më së keqi kalon gazetari…Por, duhet të jemi më optimist, gjërat janë duke shkuar rrjedhave positive pra edhe gazetaria e cila shumë shpejt do të jetp e mirfilltë, do të jetë vetëvetja…
LipjaniNews: Çfarë pozite keni tani?
Esad Dujaka: Jam redaktor përgjegjës në Ueb-faqen e Rtv21, një punë që po e kryej me kënaqësi të madhe, ku kemi një autonomi të plotë profesionale. Ueb-faqja është një gazetë elektronike e cila dita-ditës po e zë vendin e gazetës së shkruar, sepse elektronika po avancon dhe i ka përparësitë e saja të pakontestueshme…
LipjaniNews: Si e shihni gjeneratën e tanishme në krahasim me atë se si keni qenë ju?
Esad Dujaka: E sotmja ka kushte shumë-shumë më të mira, më të avancuara! Merrni me mend vetëm kompjuterin me një OK hyn në “xhunglën” e madhe që quhet google dhe çdo gjë për sekond e ke në shuplakë të dorës!
Kjo gjeneratë pra i ka përparësitë e veta, veçse mendoj se pak po lexon, sidomos me gjuhën jo aq mirë pasi kanë ngecje. Po shpresoj se edhe këtë mangësi me kohën do tan plotësojnë. Unë isha gazetarë 45 vjet, kam qenë redaktorë i shumë gazetarëve që gjatë viteve kanë bërë emër! Kjo më vjen mirë, është mburrje e ime. Dhe, nuk kam bërë asgjë në këtë profesion nëse nuk kam përcjellë gazetarë më të mirë dhe më të vyeshëm siç isha unë dikur!
LipjaniNews: Një mesazh për gazetarët e rinjë?
Esad Dujaka: Mrika, vajza ime e pleqërisë kur shënoi 15 vjetorin e lindjes së vet, e pa se u përmallova, ajo ma tha shkurt duke më puthur në faqe : “Babi, mos u habit se ti nuk më ke pare duke u rritur…ke qenë ditë e natë në punë…”
Pati të drejtë Mrika ime!
Kjo ishte edhe porosia ime: Ta duani me zemër këtë profesion, të jeni gazetar 24 orë…Vetëm punoni me nder, kaq!
Albina Zeneli/LipjaniNews/





