Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi sot se qeveria federale dhe gjashtëmbëdhjetë shtetet e Gjermanisë kanë rënë dakord të zgjasin masat e distancimit social të vendit deri më 19 prill për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
“Ne e vlerësuam situatën sot dhe konfirmuam se kufizimet … do të jenë të vlefshme deri më 19 prill”, tha Merkel në një transmetim të drejtpërdrejtë audio nga karantina e në shtëpinë e saj, raporton CNN, transmeton lajmi.net.
Kjo datë është pas festave të Pashkëve. Merkel sqaroi se “pandemia nuk njeh pushime dhe se “qytetarëve u kërkohet të mbajnë kontakte me njerëzit përtej shtëpisë së tyre në minimumin absolut, madje edhe gjatë festave të Pashkëve, në përputhje me rregullat në fuqi”.
Kancelarja gjermane paralajmëroi gjithashtu se do të kishte pasoja të rënda në rast të largimit të masave. Ajo tha se qeveria e saj do të rivlerësonte situatën të martën pas Pashkëve. /Lajmi.net/