E vërteta e kripur për urthin!

PUBLIKUAR

Refluksi është një shqetësim mjaft i përhapur, që prek gati çdo moshë. Megjithatë është vënë re se një përhapje më e madhe te të moshuarit.

Ndryshimet që ndodhin në organizmin e tyre, stili i jetës dhe përdorimi i medikamenteve në mënyrë kronike, janë disa nga shkaqet që i bëjnë të moshuarit të preken më shpesh nga urthi. Pjesa më e madhe e kësaj grupmoshe e përkufizon si “djegie gjoksi” apo “urth”, transmeton Telegrafi.

Sëmundja e refluksit (prapësimit) gastro-ezofageal është një kthim prapa jo normal i acidit të stomakut lart në ezofag, tubin e gjatë muskular që lidh pjesën e pasme të gojës me stomakun.

Muskuli i quajtur sfinkter, që ndodhet në kufirin mes ezofagut dhe stomkut e që normalisht punon si një portë e që nuk lejon përmbajtjen e stomakut të kthehet lart në ezofag, mund të jetë shumë i dobët ose të hapet “gabimisht”. Kjo sjell shfaqjen e sëmundjes dhe simptomat e urthit (djegësirë në stomak).

Urthi si një dhimbje ose shqetësim ndihet prej stomakut e përhapet deri në kraharor; shpesh pas ngrënies, por edhe në çdo orë të ditës, madje edhe duke ju zgjuar gjatë natës. Rreth 20-40% e popullsisë vuan nga një simptomë e tillë.

Të tjera simptoma shoqëruese janë:

* Hidhësi në gojë (ose regurgitacion)
* Vështirësi në gëlltitje, sidomos të ushqimeve të thata.
* Dhimbje gjoksi, që shpesh ngatërrohen me një goditje në zemër.
* Ngjirje e zërit, fyt i thatë, kollë gjatë natës dhe ndryshim i zërit.
* Problem me mushkëritë dhe frymëmarrjen.

Ka edhe disa faktorë që mund ta nxisin sëmundjen e urthit, siç janë: duhanpirja, disa sëmundje, konsumimi i alkoolit apo i disa medikamenteve, po ashtu edhe gjatë shtatzënisë e sidomos gjatë tremujorit të fundit të saj në shumë gra.

Urthi zakonisht trajtohet me antacid, preparate që kanë për qëllim neutralizimin e thartirës së tepërt), prokinetikë (preparate që shtojnë tonusin e sfinkterit të sipërm të ezofagut), inhibitorë të pompës protonike të kaliumit.

Ndikim kanë edhe masat higjieno-dietetike, siç janë ushqimi i shpeshtë dhe në sasi më të vogla, largimi i mëlmesave, i pijeve me dyoksid karboni, fjetja me kokë sa më lart (15-20 cm) mbi nivelin e shtratit) dhe, nuk preferohet marrja e ushqimit pas orës 20.

“Të domosdoshme janë edhe vizitat e rregullta te gastroenterologu, që të gjejë shkakun dhe arsyen që e shfaqjes së urthit e që mund të haset ndonjëherë edhe te njerëzit neurolabil, mandej te njerëzit që gëlltisin shumë ajër gjatë ngrënies, si dhe te disa sëmundje siç është hernia hiatale e tipit rrëshqitës, etj.”

Urthi nuk është gjithmonë diçka e thjeshtë e joshqetësuese. Nëse nuk arrin të trajtohet, ai mund të shkaktojë dëmtime të ezofagut në forma të inflamacionit të tij, ulcerave apo dëmtimit të indit ezofageal, komplikacione të frymëmarrjes, laringjite; sindromin e Barretit e deri në rrezik për shfaqje të kancerit të ezofagut.

Ndaloni dhimbjen e kokës së shkaktuar nga urthi

Dispepsia dhe problemet me tretjen e ushqimeve mund të jetë një shkaku “misterioz” i disa migrenave të fshehta dhe sistemimi i kësaj teprice acide mund të qetësojë dhimbjen e kokës. Refluksi mund të përhapë dhimbjen drejt mishrave të dhëmbëve, mollëzave dhe prej andej drejt syve, një pozicion i zakonshëm i dhimbjeve të kokës së migrenës.

Astma dhe kolla, të lidhura me refleksin

Kolla e vazhdueshme, por dhe astma bronkiale shpesh janë “bashkëshoqëruese” të urthit. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo episod urthi të trajtohet dhe ekzaminohet në kohë, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet e mundshme. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

Dy infermiere të reja nga Lipjani model përkushtimi në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, nën moton “Infermierët tanë, e ardhmja jonë”,...

Ju dhemb shpina prej javësh dhe barnat nuk ndihmojnë? Kur duhet të shqetësoheni seriozisht

Radikulopatia nuk është thjesht dhimbje shpine – pse analgjezikët nuk ndihmojnë dhe kur nevojitet...

QKUK realizon për herë të parë në Kosovë zëvendësimin e harkut të aortës me procedurën FET

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se në Qendrën Klinike dhe...