SHBA, Kina, Arabia Saudite, India dhe Franca japin së bashku më shumë para për armatimin, se të gjitha vendet e tjera në botë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Paqes në Stokholm, SIPRI
Është e vështirë të përfytyrosh një shumë prej 1822 miliardë dollarësh. Por kaq shumë para u shpenzuan në vitin 2018 në të gjithë botën për armatimin, 2,6% më shumë se një vit më parë. Këtë e konfirmon Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Paqes, SIPRI në Stokholm në raportin e publikuar të hënën.
Shumica e miliardave të shpenzuara vijnë nga SHBA. Nga të gjitha vendet në botë, janë SHBA ato që japin më shumë para për armatimin. Drejtuesi i projektit, Nan Tian thotë në bisedë me Deutsche Wellen, se „rritja e shpenzimeve këtë vit prej 4,6% është më e larta prej 7 vitesh”. Sipas Tian „SHBA po vë në jetë një program të zgjeruar modernizimi të të gjithë ushtrisë dhe po fillon me këtë. Bëjmë fjalë për një shumë prej 1,8 bilionë dollarësh për 20 vitet e ardhshme që do të jepet si për armët konvencionale, ashtu edhe ato nukleare”, raporton “DW”.
Sipas raportit, SHBA, Kina, Arabia Saudite dhe India së bashku japin më shumë fonde në botë për ushtrinë. Franca zuri në vendin e pestë në vitin 2018, e ndjekur nga Rusia, që për herë të parë u rendit në vendin e gjashtë. Por kjo sipas Tian, nuk lidhet me atë që Rusia ka dhënë më pak për shpenzimet ushtarake, por për shkak se shifrat e SIPRI-t janë të llogaritura në dollarë. „Rënia e shpenzimeve ushtarake me 3,5% lidhet vetëm me inflacionin. Kthyer në rubël u bënë për vitin 2018 po aq shpenzime si për vitin 2017”, përcjell albinfo.ch


