Luftime të ashpra kanë nisur në pjesën jugore të kryeqytetit libian pasi qeveria e mbështetur nga Kombet e Bashkuara njoftoi se do t’i kundërsulmojë forcat rebele.
Këto luftime erdhën pas tërheqjes së përkohshme të të dyja palëve nga zona e konfliktit. Sidoqoftë, deri tash janë vrarë 220 njerëz.
Ushtarët besnikë të gjeneralit Khalifa Haftar e organizuan një sulm në pjesën e parë të prillit me qëllim të marrjes së kontrollit në Tripoli.
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Serra, ka thënë se e dënon heshtjen e aleatëve të tij ndërkombëtarë në kohën kur në vendin e tij po zhvillohen luftime.
Qeveria e udhëhequr nga al-Serra ka njoftuar se i ka kryer shtatë sulme ajrore në zonat e kontrolluara nga Ushtria Kombëtare Libiane, e udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar.
Grupi i Haftarit ka thënë se i kanë marrë nën kontroll disa pjesë të kryeqytetit, përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Tripolit. Në anën tjetër, qeveria njoftoi se e ka nisur fushatën e sulmeve ajrore kundër rebelëve.
Gjenerali Haftar e ka përkrahjen e Egjiptit, Rusisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Përndryshe, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë refuzuar ta mbështesin rezolutën e Britanisë së Madhe për armëpushim në Libi, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.