Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, porse ai i ka lutur që të presin të paktën edhe 45 ditë, transmeton Gazeta Express.
Vuçiqi në konferencën e sotme për media në Beograd, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ka kërkuar prej tyre të mos ndërmarrin veprime, siç është braktisja e të gjitha institucioneve të Kosovës, për shkak se i duhet edhe një muaj e gjysmë “për të kryer konsultime me të gjithë liderët e rëndësishëm, përfshitë edhe Kinën.
Ai tha se takimi me serbët e Kosovës për të ka qenë “befasueshëm i vështirë, për shkak se ka gjëra që kanë ndodhur në 24 orët e fundit, për të cilat ende nuk dihet”.
“Serbia dhe populli serb gjenden në situatë jashtëzakonisht të rëndë si më 2008, 2004. Në ato çaste shteti veproi mjerueshëm ose kurrqysh. Kur e them këtë flas për kërcënimet që i marrin njerëzit tanë, për taksat, kurse përfaqësuesit e Shtërpcës na treguan çfarë është situata atje”, tha Vuçiqi.
Ai njoftoi se gjoja dje në Zubin Potok kanë hyrë policët shqiptarë dhe ia kanë konfiskuar kamionin një serbi, me arsyetim se ka importuar mall përmes “vijës së gjelbër”. Kjo, sipas tij paska shkaktuar mllefosje të madhe te serbet, të cilët qenkan kthyer nëpër shtëpi vetëm pas apeleve.
Presidenti serb i thirri serbët e Kosovës që të mos shkojnë në Ushtrinë e Kosovës dhe ata që kanë mbetur në të ta braktisin.
“Rren Haradinaj se janë 40 veta. Le t’i tregojë. Edhe një herë i thirri serbët të mos shkojnë në ushtri. E vetmja për të cilën mund të shërbejë ajo ushtri është për të vrarë serbë”, tha Vuçiqi.
Duke folur për Trepçën, Vuçiqi tha se në dy ditët e ardhshme pritet pranimi i statutit të ri të kombinatit, që do të shkaktojë bllokimin e llogarisë së tij.
“Shqiptarët e Kosovës duan bllokim të llogarisë, shkatërrim të Trepçës, Mitrovicës së veriut deri në Leposaviq, e kjo do të thotë se 2.400 njerëz do të mbeten pa punë dhe pa ajër për të marrë frymë në kuptimin ekonomik”, tha ai.
Si kërcënim për popullatën serbe të Kosovës, Vuçiqi i sheh edhe idetë për bashkimin e Mitrovicës së veriut me atë të jugut.
“Të gjithë thonë se nëse vjen deri te kjo, ajo mund të bëhet vetëm me dhunë dhe ky do të jetë fundi i ekzistencës së popullit tonë”, tha Vuçiqi, duke porositur se Serbia nuk do të lejojë rrezikimin dhe dëbimin e popullatës serbe nga vatrat e tyre”.
Në takim me Vuçiqin morën pjesë mbi 130 përfaqësues të serbëve të Kosovës, me në krye kryetarin e Listës Serbe Goran Rakiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Marko Gjuriqin./Gazeta Express/


