Sot në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan u kremtua “17 Shkurti” Dita e pavarësisë së Kosovës me një sërë aktivitetesh.
Kremtimi filloi në ora 10:00 me aktivitetin “Gatuaj për lule” ku nxënësit dhe mësimdhënësit sollën ushqime tradicionale nga shtëpia nga shitja e të cilave u krijua një fond modest që do të shfrytëzohet për blerjen e luleve për ambientin e shkollës.
Konsumimi i ushqimeve të blera u shoqërua me program muzikorë të përgatitur nga nxënësit. Me të përfunduar ky aktivitet filloi ora letrare ku poetët e rinjë të gjimnazit recituan disa nga poezitë e tyre. Vlenë të theksohet se gjatë orës letrare ishin të pranishëm kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Shyqeri Galica, Agim Berisha, Albina Idrizi, Ermira Jusufi dhe Abdullah Troshupa. Mysafirët e nderuar dhuruan disa libra për bibliotekën e shkollës.
Poashtu nxënësit e gjimnazit “Ulpiana” në bashkëpunim me komunën si dhe shkollën fillore “Ismajil Luma” dhe “Vëllezërit Frashëri” shfaqën program të pasur kulturo-artistik në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Lipjan.





