I akuzuari për veprën penale “keqpërdorim i besimit”, H.D e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të së hënës, i mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.
H.D ka deklaruar se e ndien vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe se është penduar që e ka kryer këtë vepër.
Ai ka shtuar se dëmin në vlerë prej 70 euro, që ia ka shkaktuar kompanisë “Eurokos”, tashmë ia ka paguar, shkruan betimiperdrejtesi.com
Prokurorja A. Shala është pajtuar me këtë pranim fajësie, e cila ka shtuar se ky pranim është në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore.
Gjykatësi i çështjes S. Salihi, me aktvendim ka pranuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 29 janar, në ora 15:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës së 22 shtatorit 2017, H.D po akuzohet se e ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, nga neni 342 par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari H.D, më 28 shtator 2015, rreth orës 18:00, në fshatin Shalë të Lipjanit, në cilësinë e rojës në ndërmarrjen “Eurokos”, gjatë përkujdesjes për pasurinë nuk i ka përmbushur detyrimet e tij dhe nuk është kujdesur si duhet për pasurinë për të cilën ka qenë i obliguar të kujdeset, shkruan betimiperdrejtesi.com
Po ashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Drenica, me qëllim që vetit apo personit tjetër t’i sjellë pasuri të kundërligjshme, gjatë natës sa i njëjti ka qenë duke bërë roje, është ndërprerë energjia elektrike, në atë kohë persona të panjohur kanë vjedhur 60 metra kabllo 4×4 mm, nga metali i bakrit, e këtë në mëngjes e kishte vërejtur kryepunëtori Fatos Shamolli, ku sipas tij, vlera e dëmit është 250 euro. /betimiperdrejtesi.com/


