Një zjarrfikës që mori pjesë në protestat e jelekverdhëve të Francës ndodhet në gjendje kome pasi u godit me plumba gome nga policia. Në pamjet e publikuara shihet se babai i tre fëmijëve është shtrirë në tokë dhe ka shumë gjak që i rrjedh nga koka, përderisa disa kalimtarë mundohen ta ndihmojnë.
Ai shihet se e ka të veshur jelekun me ngjyrë karakteristike që është bërë simbol i protestuesve prej fillimit të kryengritjeve. Familjarët e tij kanë thënë se ai është lënduar rëndë në kokë dhe ndodhet në gjendje kome në spital.
Lëndimi i këtij protestuesi vjen në vazhdën e protestave që po mbahen rregullisht gjatë fundjavëve në Francë kundër presidentit Macron. Policia po akuzohet se është duke përdorur dhunë të tepërt, përfshirë rrahjet, përdorimin e shok-bombave dhe plumbave të gomës.
Ndonëse policia kanë marrë udhëzime që t’i qëllojnë protestuesit në pjesën e poshtme të trupit, ka pasur raste kur ata janë goditur në kokë. “Ata po na gjuajnë si lepujt”, thotë bashkëshortja e zjarrfikësit të lënduar. Në anën tjetër, policia lokale e ka nisur një hetim për këtë rast, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.


