Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka quajtur ish-sekretarin amerikan të shtetit, Rex Tillerson, memec si një gur dhe përtac si ferri, një ditë pasi ish-diplomati deklaroi se ia ka tërhequr vërejtjen presidentit për gjërat që ai i bënte e të cilat mund të paraqisnin shkelje të ligjit.
“Mike Pompeo po e kryen punën për mrekulli, jam shkumë krenar me të. Paraardhësi i tij, Rex Tillerson, nuk e kishte kapacitetin e nevojshëm mendor. Ai ishte memec si një gur dhe nuk kam mundur të pres që ta heq qafe sa më shpejt. Ai ishte përtac si ferri. Tash e kemi një frymë krejt tjetër në shtet”, shkroi Trump në Twitter.
Trumpi e kishte shkarkuar Tillersonin në mars të këtij viti, pas një grumbulli mospajtimesh për politikat ndaj Koresë Veriore, Rusisë dhe Iranit. Përpos dallimeve politike, besohet që marrëdhëniet mes tyre janë tensionuar pasi në biseda private me të tjerët, Tillersoni e quante Trumpin “trap”.
I pyetur për mënyrën se si janë prishur marrëdhëniet me Trumpin, Tillersoni tha se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të këshillave të tij për të mos bërë veprime të caktuara për shkak se ato paraqisnin shkelje të ligjit ose traktateve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Unë i thosha se e kuptoj atë që dëshironte ta bënte, por ai nuk mund t’i bënte ato gjëra në atë mënyrë”, tha Tillerson, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express


