Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka shtyer vendosjen e taksës prej 25% për prodhimet kineze për tre muaj, në një darkë pune me presidentin kinez, Xi Jinping, për të lënë kohë për zhvillimin e negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare mes dy vendeve.
Presidenti amerikan tha se darka në samitin e G20-ës ishte një takim frytdhënës dhe i mrekullueshëm, me shumë mundësi për bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, deklaroi se presidenti kinez është zotuar se do ta ndalojë eksportimin e fentanilit në SHBA dhe do ta largojë dënimin me vdekje për trafikantët e shpallur fajtorë.
Në deklaratë thuhet se presidenti Jinping ka bërë një gjest humanitar, duke e futur fentanilin në listën e substancave të kontrolluara, që do të thotë se njerëzit që merren me shitjen e tij do t’i nënshtrohen ndëshkimeve më të ashpra të drejtësisë kineze. Si masë reciproke, SHBA-ja nuk do ta rrisë taksën për prodhimet kineze në 25%, siç ishte paralajmëruar më herët nga presienti amerikan. Ekzistonte frika se një masë e tillë mund ta nxisë fillimin e një lufte tregtare mes dy tregjeve të mëdha, e cila do të kishte ndikim negativ edhe në tregun botëror.
Sipas zëdhënëses Sanders, Kina gjithashtu është pajtuar që ta rrisë blerjen e prodhimeve bujqësore, energjetike dhe industriale nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që ta zvogëlojë shpërputhjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve. Pas rritjes së tensioneve tregtare nën administratën e presidentit Trump, Kina e kishte zvogëluar blerjen e prodhimeve bujqësore nga fermerët amerikanë, duke shkaktuar humbje të drejtpërdrejta në zonat ku presidenti Trump gëzon përkrahje të madhe, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.


