Serbia pritet të sjellë në territorin e Kosovës hetues për të bërë kërkime rreth mbetjeve të uraniumit të varfëruar në vend, pasi shkaktar të rritjes së numrit të personave që po diagnostifikohen me kancer, po ia lënë bombardimeve të NATO’s që ndodhën në vitin 1999. Kosova ka bërë kërkime për këtë çështje, për të cilat tashmë kanë dalë rezultatet. Por a do ta lejojë shteti përfshirjen e Serbisë të bëjë kërkime në territor të Kosovës? Ministria e Punëve të Jashtme është përgjigjur për Gazetën Express
Javën e kaluar kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, urdhëroi formimin e një komisioni i cili, sipas serbëve, do ta përcaktojë të vërtetën e bombardimeve që ndodhën në vitin 1999 me municion që përmbanin uranium të varfëruar.
Kështu, mbeti që Serbia ta sjellë hetues në territorin e Kosovës për të bërë kërkime rreth mbetjeve të uraniumit dhe ndikimit të tij.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i pari e aktualizoi çështjen e uraniumit të varfëruar para një muaji gjatë vizitës së tij në Institutin Onkologjik në Beograd duke thënë se kjo substancë ka ndikuar në rritjen e rasteve të kancerit në shtetin e tij.
Pas Presidentit serb, reagoi edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq, e cila ka formuar komisionin që do të merret me bombardimet e NATO’s dhe ndikimin e UV’së, madje duke zgjedhur edhe kryetarin e komisionit dhe ekipin e tij.
Kryetar i këtij komisioni është zgjedhur Darko Laketiq dhe u propozuan si anëtarë: Ivana Stojiljkoviq, Milovan Drecun, Danijela Stojadinoviq, Dragan Vesoviq dhe Dubravka Bojiq.
Por, për praninë e hetuesve nga Serbia nuk u fol deri më tani në Kosovë.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se të njëjtit nuk kanë pranuar leje apo kërkesë për çështjen e prezencës së hetuesve serbë në Kosovë për të hetuar prezencën dhe ndikimin e uraniumit të varfëruar (UV).
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar leje apo kërkesë për çështjen të cilës ju i referoni. Republika e Kosovës i ka institucionet e saja shtetërore/përgjegjëse të rendit dhe Ligjit, të cilat ushtrojnë autoritetin e tyre në territorin e vendit”, thuhet në përgjigjen e MPJ’së për Express.
Nga Ministria, thanë se edhe po të bëhet një kërkesë e tillë nga ana e Serbisë, “as që merret në konsiderim”.
“Pa dashur të futem në situata hipotetike, përderisa nuk ka kurrfarë kërkese për leje, por në një situatë hipotetike, natyrisht që një kërkesë e tillë as që merret në konsiderim”, ka thënë për Gazetën Express, Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të MPJ’së, Behgjet Pacolli.
E derisa Serbia po fajëson Kosovën për rritjen e numrit të pacientëve të diagnostifikuar me kancer, lidhur me përdorimin e uraniumit të varfëruar (UV), Gazeta Express javë më parë ka shkruar për statistikat e nxjerra nga Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, për përdorimin e tij gjatë luftës së Kosovës.
Kjo agjenci ka thënë se nga raportet e vlerësimit dhe studimet e bëra rezulton që shëndeti i njeriut dhe mjedisi nuk janë të rrezikuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit i cili vjen nga prezenca eventuale e Uraniumit të Varfëruar në territorin e Kosovës./M.K/GazetaExpress/


