E dëmtuara thotë ndihet e mashtruar nga i akuzuari për dallavere me prona në Lipjan

PUBLIKUAR

E dëmtuara Milka Simianoviq, ka dhënë dëshminë e saj të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj të akuzuarit për dallavere me prona në Lipjan, R. Llugiqi.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari R. Llugiqi, më 12 maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, të dëmtuarën Millka Simianoviq.

Kjo, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

“Kur të marrin pasurinë dhe pronën iu dhemb, por më e dhimbshme është kur të marrin shpirtin, kur të mashtron dhe luan rolin e mikut, kur bërtet në ju dhe ju kërcënon se do të ju vrasë, se mundet edhe të ju dhunojë, vetëm se kam qenë e vetme”, ka thënë Simianoviq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Fatmire Cacaj dhe mbrojtësit të saj, avokatit Zharko Gaiq, e dëmtuara ka thënë se në momentin e lidhjes së kontratës është ndjerë e frikësuar, sepse, sipas saj, i akuzuari Llugiqi, i kishte thënë se janë të kërcënuar.

“Unë kam pas një frikë të madhe edhe sot e kam atë lloj frike. Kjo për shkak se Llugiqi më ka thënë se jemi të rrezikuar për vdekje, për shkak të pronës të cilën e kishin uzurpuar disa persona”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kurrë nuk ka pranuar të holla nga i akuzuari Llugiqi, as kesh e as përmes llogarisë bankare.

Ajo ka shpjeguar arsyen se përse ha hapur llogari bankare në “Reiffaisen Bank”, në tri filiale, në Shtime, Ferizaj dhe në Prishtinë.

“Në Ferizaj nuk kam hyrë fare në bankë, në Shtime kam hyrë vetëm me e hap llogarinë bankare, ndërsa në Prishtinë unë i kam nënshkruar faturat të cilat mi ka dhënë Llugiqi”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se të akuzuarin Llugiqi e ka konsideruar mik, ndërsa ai dhe tezja e saj, Smiljana Bozheviq, e cila sipas saj, e kishte organizuar gjithë këtë, e kanë pranuar se e kanë mashtruar.

“Pesë minuta para nënshkrimit e kam pas përpara kontratën, çmimin e kom pa kur e kam nënshkrua, sepse tezja ime më ka thënë mos e këqyr çmimin se ai formalitet është”, ka thënë Simianoviq.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fehmi Shala, se përse nuk e kishte lajmëruar rastin për kërcënim në polici, ajo u përgjigj duke thënë se ishte e shokuar për shkak të kërcënimit me vrasje.

Ndërsa, në pyetjen e gjykatësit Kujtim Krasniqi, se përse një mjeke siç është ajo, me ato kualifikime, të bie pre e këtij mashtrimi, ajo ka thënë se nuk ka njeri që nuk mund ta mashtrojë njeriun dhe se ajo e kishte konsideruar mik atë, e nuk e ka pritur këtë prej tij.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 15 dhe 16 maj, me fillim nga ora 9:00.

Ndërkaq, ne seancën e mbajtur më 1 shkurt 2018, në të cilën kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, R, Llugiqi, i akuzuar për mashtrim lidhur me një pronë në Lipjan, është deklaruar përsëri i pafajshëm.

Sipas vendimit të marrë nga ana e Gjykatës së Apelit, më 16 janar 2017, Gjykata Themelore kishte bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale kur kishte marrë vendim për dënimin e të akuzuarit Llugiqi, me 6 muaj burgim efektiv.

Sipas të dhënave, ky proces gjyqësor kishte qenë në rigjykim edhe në vitin 2016, ku më pas ishte marrë vendimi më 18 maj 2016, lidhur me shpalljen e të akuzuari Llugiqi, fajtor për veprën penale “mashtrimi”.

Mirëpo, pas ankesës së avokatit Fehmi Shala këtë aktgjykim e ka anuluar Gjykata e Apelit dhe lëndën e ka kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari R. Llugiqi, më 12 maj 2009, në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj, të dëmtuarën Millka Simianoviq.

Kjo, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në atë mënyrë që me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 ari, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurosh, me arsyetimin e tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000,00 euro.

Artikull nga: http://betimiperdrejtesi.com/e-demtuara-thote-ndihet-e-mashtruar-nga-i-akuzuari-per-dallavere-me-prona-ne-lipjan/

SHIKO MË SHUMË

Gjendet i vdekur në shtëpinë e tij një burrë në Janjevë

Një burrë është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës në Janjevë. Policia ka...

Burri rrahu gruan dhe vajzën në Lipjan, më pas u arratis

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në Lipjan, ku burri...

Vrasje në tentativë në Brus të Lipjanit, e gjuajti me armë zjarri dhe u largua, i lënduari mori tretman mjekësor

Një vrasje në tentativë ka ndodhur dje pasdite në Brus të Lipjanit. Atje një burrë...