Një komitet ndërpartiak i deputetëve britanikë i ka kërkuar drejtorit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg të paraqitet para parlamentit për të shpjeguar dështimin katastrofik të procesit në kompaninë e tij mbi sigurinë e të dhënave personale.
Damian Collins, i cili drejton Komitetin e Kulturës, Medias dhe Sporteve, deklaroi se i kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur Facebook-ut shpjegime, se si kompanitë i sigurojnë dhe ruajnë të dhënat e përdoruesve nga faqja e tyre dhe kryesisht në rastet kur këto të dhëna merren pa pëlqimin e tyre.
“Përgjigjet e zyrtarëve kanë nënvlerësuar në mënyrë të vazhdueshme rrezikun e paralajmëruar nga komisioni,” tha Collins, një deputet i partisë konservatore të kryeministres, Theresa May, në një letër drejtuar Zuckerberg, përcjell Atsh.
Komiteti i Dhomës së Komuneve, Dhoma e Ulët e parlamentit, po shqyrton aktivitetin e Facebook-ut , si pjesë e një hetimi mbi rolin e “Fake News” në politikën britanike.


