Në kuadër të 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve midis Maltës dhe Shqipërisë ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë Princi i Maltës, Fra’ Matthew Festing, i cili është pritur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me një ceremoni zyrtare.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Presidenti Nishani i shprehu mirënjohjen Princit të Maltës, për kontributin që ka dhënë në projekte e ndihma humanitare në gjithë këto vite, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën, siç ishte dhe rasti i refugjatëve në krizën e vitit 1999.
Ndërkohë presidenti Nishani theksoi se një çështje e rëndësishme për të cilën diskutoi me Princin e Maltës ishte edhe lufta kundër terrorizmit, dhe vlerësimi që Malta ka për harmoninë fetare që ekziston në Shqipëri.
“Zhvilluam një bisedë të ngrohtë dhe miqësore ku vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Urdhrit të Maltës. Ramë dakord për të nxitur më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe emergjencave civile, duke nënvizuar rëndësinë e pasurimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dy palësh. Një falënderim të veçantë ia bëra mikut tonë edhe për ndihmat humanitarë që Urdhri i Maltës ofroi për përballimin e fluksit të madh të refugjatëve gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999. Në bisedën tonë nuk mund të mungonte dhe harmonia dhe bashkëjetesa paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare si një vlerë unikale dhe shumë shekullore që jo vetëm duhet ruajtur por edhe promovuar. Vlerësuam se në kohët që jetojmë dhe ku mbarë bota e qytetëruar është e kërcënuar nga rreziku i terrorizmit ndërkombëtar, ISIS dhe konfliktet mbi baza fetare kjo vlerë merr një rëndësi të veçantë”, tha Nishani.
Nga ana e tij edhe Festing theksoi se kjo vizitë përkon me 20 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, që u vendosën në vitin 1994 mes Shqipërisë dhe Maltës, marrëdhënie që do të vijojnë të forcohen edhe më shumë me projekte të shumta që Malta do të financojë në Shqipëri.
“Vizita ime përkon me 20-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, që u vendosën në vitin 1994. Ndaj, dua të shpreh aspiratën time për të intensifikuar marrëdhëniet tona. Që nga viti 1995, projekte të rëndësishme sociale dhe shëndetësore janë zbatuar nga Organizata e Ndihmës së Urdhrit të Maltës në Shqipëri, që tani numëron 200 vullnetarë. Ajo shërben për dhënien e ndihmës së shpejtë, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, për të ngritur kopshte për fëmijët kampe veriore për të rinjtë, e shumë projekte të tjera që do të vijojmë të vëmë në jetë në të ardhmen”, tha Fra’ Matthew Festing. /Telegrafi/


