Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Alojz Peterle, tha se zgjedhjet ishin me një konkurrence të fortë, përderisa shumica e komunave më të mëdha votuan në raundin e dytë. Këto komente ai i bëri gjatë një konference shtypi ky bëri publike gjetjet paraprake të Misionit për zgjedhjet e balotazhit.
Sipas Peterle, fushata gjatë raundit të dytë ishte e qetë dhe pa gjuhë nxitëse.
“Fushata u zhvillua në një atmosferë kryesisht të qetë. Garuesit ishin në gjendje të shprehin mesazhet e tyre lirshëm dhe filluan fushatën menjëherë pas raundit të parë. Gjatë pesë ditëve të fushatës zyrtare, BE-ja vërejti në mënyrë pozitive një numër të madh debatesh të organizuara nga mediet elektronike”, tha Peterle.
Sipas tij, atmosfera në komunitetet me shumicë serbe të Parteshit dhe Kllokotit ishte e polarizuar por nuk ndodhi ndonjë incident i madh.
Përfaqësuesit e të dy kandidatëve për kryetar të Parteshit akuzuan njëri-tjetrin për akte të vazhdueshme të blerjes së votave dhe presionit mbi përkrahësit e tyre.
Ndërsa, mediet sipas Peterle gjatë fushatës zgjedhore pesëditore ofruan mbulim mjaft të balancuar në lajme dhe organizuan disa debate ndërmjet kandidatëve, raporton “Zeri.info”.
Por ai kishte ankesa lidhur me qasjen e personave me aftësi të kufizuar të cilët sipas Peterle, nuk kishin mundësi lëvizjeje. “Qasja në objektet e vendvotimeve për personat me aftësi të kufizuar u dëshmua të jetë e vështirë, ku pak më shumë se gjysma e vendvotimeve të vizituara ishin të qasshme për personat me mundësi të kufizuar të lëvizjes.
Aranzhimi i vendvotimeve nuk ishte i përshtatshëm për këta persona në më shumë se një të pestën e vendvotimeve të vëzhguara”, u shpreh Peterle.
Sipas shefit të këtij misioni, Alojz Peterle, procesi i numërimit në QNR u vëzhgua nga vëzhgues të subjekteve politike dhe në përgjithësi, sipas tij, kjo qendër ofron një verifikim shumë të mirë.
Ai kishte ankesa në lidhje me fletëvotimet e pavlefshme, të cilat, sipas tij, ishin në një numër jashtëzakonisht të lartë dhe mbetet e lartë.
Peterle bëri të ditur që misioni që ai udhëheq do të qëndrojë në Kosovë deri më 7 dhjetor të këtij viti, pra derisa të shpallen rezultatet përfundimtare


