
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të premten paralajmëroi për një “përplasje të mundshme qytetërimeve”, pas sulmeve islamike në Paris, duke kritikuar dhe Francën që ka lejuar që gruaja e një sulmuesi të ikën në Siri përmes Turqisë.
Erdogani, një mysliman i devotshëm suni, shkruan Reuters, ka akuzuar Perëndimin për hipokrizi. Në një takim të biznesmenëve në Ankara, Erdogani tha se Charlie Hebdo është i njohur për provokimet.
“Me shqetësim të madh ndjekim sulmet ndaj islamit të fshehura pas sulmit në gazetën satirike në Francë,” tha Erdogan, i cili thekson se po rritet islamofobia në Perëndim, transmeton Telegrafi.
“Përkundër të gjitha përpjekjet tona për ta ndaluar, ngjallet teza e përplasjes së qytetërimeve”, tha ai.
Charlie Hebdo boton karikaturat ku tallet me figura fetare. Në numrin e fundit aty u botua sërish karikatura e Profetit Muhamed. Erdogan thotë se ky edicion nuk ka lidhje me lirinë e shtypit porse është “terrorizim i lirive të të tjerëve”.
Një gazetë turke që ka transmetuar një pjesë të këtij numri, tash është nën hetime. /Telegrafi/


