Qeveria e Gjermanisë e ka miratuar shitjen e tri nëndetëseve “Thyssenkrupp” Izraelit dhe do të ofrojë përkrahje financiare për blerjen e tyre, ka thënë sot zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Seibert.
Marrëveshja, e cila besohet se kap vlerën e 2 miliardë dollarëve, është duke u hetuar nga policia në Izrael nën dyshimet për korrupsion. Disa zyrtarë publikë dhe qytetarë janë marrë në pyetje në këtë rast, transmeton Express.
Marrëveshja e vitit 2016 është nën vështrim publik qëkur doli se avokati personal i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e kishte përfaqësuar në gjykatë edhe agjentin lokal të Sistemit të Marinës “Thyssenkrup”, duke ngritur shqetësimet për konflikt të interesit.
Avokati e mohon të ketë bërë ndonjë shkelje dhe ka thënë se kurrë nuk e ka diskutuar marrëveshjen me Netanyahun. Netanyahu nuk është i dyshuar në këtë rast, sipas Ministrisë së Drejtësisë së Izraelit.
Seibert ka theksuar se Gjermania do të bëjë një kontribut prej rreth 540 milionë euro për të ndihmuar në financimin e blerjes së nëndetëseve nga Izraeli. /Express/


