Sanksionet ndaj Kim Jong-unit po funksionojnë, tregon ish-zyrtari i arratisur verikorean

PUBLIKUAR

Një ish-zyrtar i lartë të Koresë së Veriut, tani në arrati, Ri Jong Ho, ka dhënë për herë të parë intervistë publikisht që pas arratisjes nga vendi komunist më 2014.

Ai ka thënë për Zërin e Amerikës se përpjekjet aktuale për të forcuar sanksionet ekonomike kundër regjimit komunist po japin efekt dhe me kalimin e kohës mund ta destabilizojnë regjimin e Kim Jong Unit.

“Nëse vazhdojnë sanksionet ekonomike, ato do të gërryejnë kontrollin e regjimit koreano-verior mbi pushtetin, do të krijojnë mundësi më të shumta për aktivitet ekonomi dhe do të nxisë korrupsion të formave të ndryshme dhe çrregullim në vend,” tha Ri Jong Ho në intervistën e parë publike që kur u arratis në 2014. “Lehtësimi i kontrollit qeveritar do të prekë themelet e sistemit udhëheqës”.

Komentet e tij bëhen ndërkohë që Presidenti Trump përgatitet për takimin e nivelit të lartë këtë javë me homologun koreano-jugor, Moon Jae-in, ku pritet të diskutohet kërcënimi i përbashkët që paraqet regjimi koreano-verior dhe ambicjet e tij bërthamore.

Zoti Ri, i cili k ashërbyer në role të rendësishme në disa agjenci qendrore, ka një karrierë mbi 30 vjeçare si ish-zyrtar që mbikqyrte prodhimin dhe tregtimin e rezervave valutore të regjimit korean.

Për here të fundit ai ishte në Dalian të Kinës, ku kishte detyrën e kreut të Korporatës Tregtare Korea Daehung Trading, e cila menaxhohet nga Zyra 39, një degë sekrete e qeverisë koreano-veriore. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Zyra 39 drejton “aktivitete ekonomike të jashtëligjshme dhe menaxhon fonde që përdoren për afere korruptive dhe që gjenerojnë të ardhura për udhëheqjen”.

Sipas zotit Ri, ka parë nga afër përpjekjet e Phenianit për të mbështetur regjimin koreano-verior gjatë një urie të rëndë dhe krizës financiare të mesit të viteve 1990, kur Pheniani “ballafaqohej me presion të madh” bëhet “më sfidues” duke u përqëndruar në zhvillimin e armëve.

Gjendja aktuale mund të jetë e ngjashme me situatën e viteve 1990, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar zgjeron sanksionet dhe udhëheqësi Kim vazhdon të demonstrojë publikisht programet e tij të armëve të avancuara.

Regjimi kreu një provë bërthamore dhe lëshoi disa raketa që nga fillimi i 2016. Ndërkohë që Koreja e Veriut nuk i ka fshehur ambicjet për të zhvilluar raketa balistike ndërkontinentale të afta për mbushje bërthamore që mund të godasin Shtetet e Bashkuara, zoti Ri tha se Pheniani e konsideron Korenë e Jugut si objektivin kryesor të një plani për sulm bërthamor.

Përpjekjet aktuale ndërkombëtare për të kufizuar tregtinë e Koresë së Veriut po dëmtojnë ekonominë koreano-veriore, e cila varet në një pjesë të konsiderueshme mbi eksportet minerare, thotë zoti Ri.

Ri Jong Ho

Rezerva minerare si qymyrguri dhe ferrokromi përbëjnë mbi 45% të eksporteve koreano-veriore, të cilat arrijnë në 3 miliardë dollarë në vit, sipas zotit Ri. Nën shqetësimin se ekonomia e vendit po varej së tepërmi vetëm tek një sektor, Pheniani vuri në 2008 një nivel tavan për deri në 5 milionë tonë qymyrguri për eksport në vit, thotë zoti Ri. Por kjo përpjekje dështoi pasi në 2013 Pheniani eksportoi dy herë më shumë se ajo sasi dhe në 2016 katër herë më shumë për të gjeneruar fonde shumë të nevojshme.

“Kjo tregon qartë se Koreja e Veriut po vuan mungesa në valutë,” thotë zoti Ri. “Cdo ndërprerje në tregtinë minerare do të kishte një ndikim të rendësishëm jo vetëm tek popullata, por edhe tek udhëheqja koreano-veriore”.

Pezullimi tre-mujor i eksporteve të qymyrgurit pasoi ekzekutimin në fillim të 2014 të Jang Song Thaek, xhaxhait të udhëheqësit Kim. Ky është një shembull i një situate të tensionuar, shpjegon zoti Ri, kur pezullimi ndikoi jo vetëm sektorin minerar, por të gjithë sektorët ekonomikë, përfshirë edhe tregjet e vogla në Phenian.

Kur u pyet për njoftimet e fundit për rritjen e çmimeve të karburantit, zoti Ri tha “Ka shumë mundësi që sanksionet kanë ndërprerë importet e karburantit nga Kina për Korenë e Veriut”.

Koreja e Veriut importon deri në 200,000 – 300,000 tonë naftë nga Rusia në vit, thotë zoti Ri. Kompani në Singapor, qendra aziatike e tregtimit të mallrave të konsumit, kanë vepruar prej mbi dy dekadash si urë lidhëse mes dy vendeve.

“Së pari arrihet marrëveshje me një kompani në Singapor, e cila më pas futet në kontratë me kompanitë ruse të naftës,” thotë zoti Ri.

Me përfshirjen e kompanive të respektuara në Singapor si ndërmjetësuese për të bërë biznes me kompanitë ruse, Koreja e Veriut arrin të marrë sasi nafte edhe përpara se të bëjë pagesat, thotë zoti Ri, i cili ka qenë i përfshirë në transportin e naftës ruse për në Phenian nga 1997- 2005.

Duke pasur parasysh që trafiku i cisternave koreano-veriore të naftës vazhdon, ka gjasa që transaksionet mes Phenianit dhe kompanive në Singapor vazhdojnë, shton ai.

Moska nuk është e vetmja që i ofron naftë Phenianit, thotë zoti Ri.

Eksportet e Pekinit arrijnë në masën 50,000 – 100,000 tonë benzinë në vit përmes cisternave. Kina e furnizon Korenë e Veriut edhe me 500 mijë tonë naftë përmes tubacioneve, një sasi që përdoret për ushtrinë masive të udhëheqësit Kim, plotësisht falas.

“Nëse qeveria amerikane fillon të godasë importet e naftës, regjimi koreano-verior do të pësojë dëme të rënda,” tha zoti Ri. “Nëse ndalen plotësisht dërgesat e naftës nga Rusia dhe Kina, do të ndërpritet linja e jetës për regjimin koreano-verior”.

Presidenti Trump, i cili e konsideron Pekinin si çelësin për zgjidhjen e kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut, ka folur për nevojën e një angazhimi më të madh nga Kina.

Gjatë bisedimeve të javës së kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës lidhur me çështje të sigurisë, dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre për “të zbatuar plotësisht të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit në lidhje me këtë temë,” siç u shpreh Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.

Analistët e mbështesin qëndrimin e administratës Trump mbi rolin kritik që mund të luajë Kina në këtë çështje, por shumë prej tyre janë skeptikë lidhur me gatishmërinë e Kinës për të mbështetur sanksione në përgjigje të agresivitetit që ka dëshmuar Pheniani.

“Sanksionet që prekën sektorin e eksporteve minerare të Koresë së Veriut apo importet e naftës mund të ndikojnë tek politikat e Phenianit. Por nuk ka prova, në fakt ka prova që vërtetojnë të kundërtën – pra Pekini nuk mbështet vendosjen e embargos apo sanksioneve shtesë ndaj Koresë së Veriut,” tha për Zërin e Amerikës Anthony Ruggiero, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i cili më parë ka qenë Zv/ Drejtor në Departamentin e Thesarit dhe ekspert në efektin e masave financiare.

Zoti Ri është i të njëjtit mendim: “Nuk mendoj se qeveria kineze do të vazhdojë të mbështesë politikat amerikane për sanksione kundër Phenianit, pasi synimet strategjike të Kinës ndryshojnë prej synimeve amerikane”.

Ai thotë se megjithë acarimin e kërcënimit koreano-verior, Pekini është i vetëdijshëm se nuk ka përfitime për Kinën nëse bie regjimi aktual në Phenian, ose nëse ribashkohet Gadishulli Korean, i cili ka shumë të ngjarë të futet nën influencën amerikane apo të kontrollohet nga koreano-jugorët, thotë ai.

Zoti Ri u arratis në Korenë e Jugut në tetor 2014 dhe në mars 2016 erdhi në Shtetet e Bashkuara. Ai jeton në zonën e Uashingtonit me bashkëshorten dhe dy fëmijë. /VoA

SHIKO MË SHUMË

“Do t’ju mallkojë historia…” – Tifozat Kuq e Zi me mesazh për Armand Dukën

Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale në lidhje me...

Nico Gonzalez te Man City në momentet e fundit, Barcelona përfitues i madh i këtij transferimi

Manchester City ka bërë goditjen e madhe në ditën e fundit të afatiti kalimtar,...

E kryer, Joao Felix kalon nga Chelsea te Milani

Sky Sport Italia raporton se Milani dhe Chelsea kanë arritur një marrëveshje për huazimin...