Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, e ka mbrojtur edhe njëherë idenë e futjes së lëndëve për mësim fetar dhe medial në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës.
Përmes Facebookut, Krasniqi ka sulmuar edhe ministrin e Arsimit, Arsim Bajramin, për të cilin ka thënë se nuk arrin të kuptojë urgjencën për futjen e mësimit medial në shkolla.
“Edukimi medial si lëndë obligative në shkolla fillore e të mesme është punë urgjente! Këtë urgjencë vetëm tipa si Arsim Bajrami nuk arrijnë ta kuptojnë”, ka shkruar Krasniqi.
“Edukimi fetar si lëndë zgjedhore në shkolla fillore është punë e urgjente! Këtë urgjencë vetëm institucionet me parashenjë neokoloniale nuk arrijnë ta kuptojnë”, ka shkruar tutje profesori universitar.
Ideja për futjen në shkolla të lëndëve mediale është aktualizuar me paraqitjen në rrjetet sociale të fenomenit të lojës së rrezikshme vdekjeprurëse Balena Blu.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë tashmë janë shënuar gjashtë raste të kësaj loje te të rinjtë e vendit, teksa ka apeluar te prindërit që të shtojnë kujdesin rreth përdorimit të internetit nga fëmijët e tyre.


