Sot (e premte) është dita e fundit e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, pas rrëzimit të qeverisë nga mocioni i iniciuar nga Nisma.
Gjatë fushatës 10 ditore partitë politike shpalosën programin e tyre qeverisës para qytetarëve të Kosovës, e nuk munguan as premtimet thuajse të paarritshme, të paktën kështu u vlerësuan nga analistët.
Analisti i çështjeve politike Behlul Beqaj, për lajmi.net tha se fushata elektorale e partive politike në vend ka qenë në kuadër të retorikës së përballueshme dhe në vazhdën e premtimeve të parealizuara.
“Nëse kemi parasysh kundërthëniet dhe hasmëritë e trashëguara nga koha e Vlanit,dhe periudhës së qeverisjes së këtij koalicioni ,fushata ka qenë në kuadër të retorikës së përballueshme dhe në vazhdën e premtimeve të parealizuara”, ka thënë ai.
Partitë politike gjatë fushatës akuzuan njëra tjetrën për parregullsitë në vend e mos zhvillimin ekonomik, nga ana tjetër ato (secila prej partive politike/koalicioneve) thanë se do të bëjnë më të mirën e mundshme për vendin.
“Retorika e fushatës nuk ka qenë aq e ashpër, sa janë ndasitë reale brenda partive dhe mes partive. Tonet dhe diskutimet e ashpra aty-këtu, ishin në kufirin e tolerancës, çështje tjetër është çfarë do të ndodhë pas publikimit të rezultateve”, theksoi mes tjerash Beqaj.
I pyetur se cila parti/koalicion do të del fitues në zgjedhje, ai ka thënë, se edhe pse qytetarët kanë shumë dyshime, Vetëvendosje nuk është konsumuar dhe mund të ketë rezultat me të mirë në zgjedhje, por thotë se mund të ketë befasia.
“Duhet të themi se Kosova është në konfuzion dhe zhgënjim masiv. Prandaj edhe qytetarët kanë shumë dyshime. Por, konsideroj se qytetarët do të zgjedhin mes dy opsioneve. Opsionit të koalicioneve të mëdha që nuk i kanë përmbushur premtimet e kanë qenë në pushtet dhe si të tillë janë konsumuar dhe opsionit të Vetëvendosjes që rolin opozitar në disa raste e ka kryer në mënyra jo politike, por që nuk është konsumuar. Pra, meqë opsioni i parë do ti ndajë votuesit,opsioni i dytë i ka votuesit e plotë, prandaj nuk mund të përjashtohet edhe befasia”, ka thënë ai.


