Delawie: Votoni politikanë të mirëfilltë!

PUBLIKUAR

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, u ka bërë thirrje kosovarëve që të votojnë masivisht në ditën e zgjedhjeve, më 11 qershor, për liderin që mendon për të mirën e vendit dhe të mirën e përgjithshme, shkruan sot, gazeta Zeri.

Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, në të cilën ka marrë pjesë dhe vetë Delawie, u është drejtuar të rinjve kosovarë se më 11 qershor do të jetë dita kur ata do të vendosin për të ardhmen e tyre.

Delawie ka përcjellë një mesazh për gjithë qytetarët, për zgjedhjet në Kosovë ku ka folur për modelin e politikanit të mirëfilltë që ka në interesin e tij vetëm të mirën për shoqërinë dhe jo interesin personal, familjar apo partiak.

 

Ai ka marrë shembull presidentin e SHBA-së Xhon Kenedi, i cili siç është shprehur ambasadori, përkufizonte udhëheqjen përmes katër cilësive të rëndësishme.

“Ai (Kenedi) thoshte se vendit i duhen udhëheqës që kanë gjykim për pushtetin, integritet dhe kurajë për të menduar përtej politikës tradicionale. Udhëheqës të tillë që do t’i shfrytëzonin këto katër veçori për të përqafuar vendimet e vështira dhe për të vepruar në interesin më të mirë për tërë vendin dhe për të mirën e përgjithshme”. Kenedi vinte nga një familje e madhe, por siç është shprehur ambasadori Delawie ai nuk ka folur që ta përdorte aktivitetin, autoritetin e tij për avancimin e interesave të vëllezërve të tij, të kushërinjve apo dhe as të partisë së tij politike. “Jo. Ai thoshte se prijësit duhet të veprojnë në interesin më të mirë të vendit të vet dhe për të mirën e përgjithshme. Besoj se këto janë ideale që duhet të kërkojmë dhe nga prijësit tanë, por janë ideale që duhet të presim dhe nga vetvetja”, ka thënë ai para studentëve, shkruan gazeta Zeri.

Delawie ka bërë të ditur para studentëve se prijësit politikë të partive politike kanë nënshkruar Kodin e Mirësjelljes të premten dhe në këtë Kod ai tha se partitë zyrtarisht zotohen se do të angazhohen së pari për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike. Pastaj do t’i kontribuojnë atmosferës qytetare para zgjedhjeve, do të mbajnë fushatë të drejtë dhe të dinjitetshme brenda normave demokratike pa përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe me respekt të dyanshëm, si dhe do t’i respektojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe do t’i respektojnë ligjet dhe rregulloret. “Besoj se ky Kod është një recetë e suksesshme për mbajtje të zgjedhjeve, të cilat do të jenë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës. Po ashtu mendoj se është një recetë të cilën ne do duhet ta zbatojmë dhe në gjithë jetën tonë të përditshme”.

Delawie ka ftuar të gjithë ata që janë aktivë në këtë fushatë dhe në këtë proces të zgjedhjeve t’u përmbahen këtyre parimeve. “Çdonjëri prej nesh mban pozitë të përgjegjësisë dhe lloji që kemi zgjedhur të jetojmë varet nga mënyra sesi ne i përmbushim këto përgjegjësi. Ne populli jemi shefat dhe vetë ne do ta kemi atë lloj të udhëheqjes politike pa marrë parasysh është e mirë apo e keqe që e kërkojmë dhe që e meritojmë”.

Delawie ka shtuar se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014 vetëm 44 për qind të qytetarëve të Kosovës të moshës 18 deri 29-vjeçare kanë votuar. “Kjo nuk mjafton, e ardhmja juaj, e ardhmja e moshës suaj është në vijim. E ardhmja juaj si evropianë, shpresoj si qytetarë të një shteti të ardhshëm, anëtarë të BE-së kjo është në vijim. Këto gjëra do të vendosen nga njerëzit që ju vetë i zgjidhni më 11 qershor”./ZERI/.

SHIKO MË SHUMË

Erëra të forta dhe reshje shiu, ky do të jetë moti sot në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se dita e sotme, e enjte, do...

‘‘UÇK, UÇK’’, thirrjet e qytetarëve teksa Jakup Krasniqi largohet nga shtëpia pas vizitës në Kosovë

Jakup Krasniqi ka përfunduar vizitën e tij që e zhvilloi sot në Kosovë. Krasniqi qëndroi...

Presidentja reagon pas aktgjykimit të Speciales, ngrit shqetësime për respektimin e të drejtave të palëve

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka regauar pas shpalljesa së aktgjykimit e sotëm në Dhomat e...