Një gjykatës federal në Havaji të Shteteve të Bashkuara zgjati për kohë të pacaktuar një vendim të mëparshëm të tij për pezullimin e ndalesave të udhëtimit, të urdhëruara nga presidenti Donald Trump.
Vendimi i gjykatësit Derrick Watson do të thotë se Trump nuk mund të zbatojë urdhrin për qytetarët e gjashtë vendeve me shumicë myslimane, derisa ai kontestohet në gjykatë.
Pasi dëgjoi argumentet nga avokatët e shtetit të Havajjit dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, gjykatësi Watson tha se ndalesat në udhëtime do të dëmtonin turizmin dhe mundësinë për të pranuar studentë dhe punëtorë të huaj.
“Vendimi i gjykatësit Watson është një pohim i vlerave të lirisë fetare dhe u mundëson të gjithë myslimanëve dhe refugjatëve të përballen me më pak pasiguri”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Havajit, raporton Evropa e Lirë.
Presidenti Trump thotë se urdhri i tij ka për qëllim të parandalojë terroristët të hyjnë në SHBA.
Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili u ka ndaluar hyrjen në SHBA vizitorëve nga shtatë vende me shumicë myslimane dhe individëve me dokumente valide të qëndrimit dhe viza.
Vendet e prekura në urdhrin e rishikuar janë Irani, Siria, Sudani, Somalia, Libia dhe Jemeni, ndërsa është hequr Iraku. Edhe urdhri i rishikuar, edhe urdhri fillestar u kanë ndaluar hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve.
Pasi është sfiduar në gjykata, presidenti Trump është ankuar për, siç a thënë, “humbje të paparë të ekuilibrit gjyqësor”, dhe ka thënë se do ta çojë rastin edhe në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme.
Urdhri i rishikuar është sfiduar edhe në disa shtete të tjera. Në shtetin Merilend, për shembull, është bllokuar pjesa e urdhrit që prek vizat, por jo edhe ajo që ka të bëjë me kufizimet për refugjatët.
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e cilësoi vendimin e fundit të gjykatësit Watson si goditje të re mbi, siç tha, veprimet kontroverse të presidentit.
“Gjykatat përsëri e hodhën poshtë ndalesën ndaj myslimanëve. Sikurse ndalimi i mëparshëm i udhëtimit, edhe urdhri i ri është paturpshëm diskriminues”, tha Margaret Huang, drejtore ekzekutive e Amnesty International në SHBA.
“Presidenti Trump duhet ta braktisë këtë agjendë të dështuar dhe ta tërheqë ndalimin”, shtoi ajo.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, ka thënë më herët se ndalesa është e nevojshme për të përmirësuar verifikimin e njerëzve që hyjnë në SHBA dhe për të parandaluar sulmet terroriste. Ai ka thënë se nuk ka dyshim se ajo do të vërtetohet nga gjykatat më të larta.


