Përveç kësaj, pilula e pengon ngritjen e nivelit të estrogjenit natyral deri në atë sasi që nevojitet, në mënyrë që veza e pjekur të dalë nga flluska në vezore (folikula) dhe të arrijë te vepërçuesi dhe kështu të bëhet e gatshme për fekondim.
Telashet që vërtet i shkakton pilula kontraceptive, si: mundësia e çrregullimit të ciklit menstrual, mujoret me dhembje etj., janë të sakta, mirëpo disa janë fryt i mosdijes dhe i paragjykimeve, transmeton Telegrafi.

A rritet plleshmëria?
Kontracepsioni oral, i vë në ‘gjendje qetësie’ funksionet natyrale të qendrës hormonale të trurit – hipotalamusin dhe hipofizën, gjë e cila ndikon në ciklin menstrual. Pikërisht, për shkak të ‘qetësisë’ së këtyre funksioneve, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, ndodh zgjimi i sistemit për reproduksion, i cili bëhet më aktiv. Për këtë arsye plleshmëria në ciklet pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës mund të jetë më e shtuar.
Hulumtimet e bëra kanë treguar se mundësia e mbetjes shtatzënë në 6 muajt e parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, janë 80 deri në 85 për qind. Shtatzënësia mund të ndodhë, pra, që në muajin e parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës (përafërsisht 50 për qind e rasteve), sepse menjëherë arrihet ovulacioni natyral dhe cikli menstrual,
A rritet rreziku nga malfornacioni i frytit dhe nga abortimi spontan?
Ky mendim është plotësisht i pabazë. Nuk ekziston asnjë studim që do të mund të dëshmonte se ndërprerja e përdorimit të pilulës do të thotë edhe shtim i rrezikut nga malformacioni i frytit. Me ndërprerjen e përdorimit të pilulës, në afat prej disa ditësh, trupi plotësisht tajit hormonet sintetike që i përmban pilula. Shtatzënësia ndodh gjatë muajit të parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës, domethënë nuk është dëmtuar nga mbetjet eventuale të hormoneve të bartura në organizëm.
Është e pasaktë se pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës rritet rreziku nga dështimi spontan. Kjo u ndodh njësoj edhe grave të cilat kurrë në jetë nuk kanë marrë kontracepsione orale. Rreziku nga humbja e frytit në shtatzënësinë e parë ndodh në përgjithësi: 12 deri në 15 përqind.
A është e rritur mundësia e shtatzënësive me më shumë fekondime?
Është e saktë mundësia e shtatzënisë me binjakë pas përdorimit të mjeteve të cilat e nxisin ovulacionin, domethënë të ilaçeve, si për shembull të gonadotropinës e te klomifenës, të cilat i përshkruan mjeku te rastet e mosplleshmërisë të shkaktuara nga mungesa e ovulacionit. Këto ilaçe mund te shkaktojnë pjekjen e përnjëhershme të më shumë vezëve. Për t’iu shmangur ‘befasive’ të cilat nuk janë gjithherë të këndshme, kjo formë e shërimit bëhet me kontrollim të ultratingullit, në mënyrë që në secilin cikël të mund të ndiqet puna e vezoreve, për t’u vërtetuar nëse vezorja është e stimuluar përtej mase.

A është e mundshme kokëdhembja?
Te disa gra, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, shfaqen dhembjet, pikërisht para menstruacioneve, ndonëse më herët, derisa e kanë përdorur pilulën, nuk kanë pasur telashe të tilla. Kjo lidhet me mungesën e sasisë së caktuar të hormoneve të cilat janë bartur në organizëm me anë të mjeteve kontraceptive orale.
Nivelin e estrogjenit dhe të progesteronit në organizëm e rregullojnë vezoret, porse niveli i atyre hormoneve nuk është gjithherë i njëllojtë, siç arrihet me përdorimin e pilulës. Prandaj, është e mundshme që brenda muajit të arrihet rritja e tajitjes së progesteronit (hormon i cili tajitet në pjesën e dytë të ciklit) dhe pikërisht ky çrregullim i baraspeshës, ndonëse shumë i vogël, mund të shkaktojë kokëdhembjen.


