Stephen Hawking ka paralajmëruar se bota duhet ta mbajë teknologjinë nën kontroll, nëse duam që raca njerëzor të mos shkatërrohet. Në fakt, ky fizikan me famë botërore, që edhe më herët ka paralajmëruar për rreziqet e inteligjencës artificiale, beson se bota duhet të identifikojë që tani kërcënimet, para se ato të shtohen e të jenë fatale për njerëzimin.
“Agresioni ishte mënyrë e dobishme e mbijetesës, që nga fillimi i qytetërimeve. Ajo është ngulitur në kodin tonë gjenetik të evolucionit. Megjithatë, tani teknologjia po përparon aq shpejtë sa që agresioni i saj mund të na shkatërrojë në një luftë bërthamore ose biologjike. Ne duhet ta kontrollojmë këtë instinkt të lindur përmes logjikës dhe arsyes”, ka thënë Hawking, transmeton Telegrafi.
Fizikani gjenial beson se teknologjia e kontrollit është gjëja më ideale që duhet të krijohet, si një formë e qeverisjes botërore. Por, paralajmëroi se më pas kjo mund të shndërrohet në tirani.


