Acarimi i raporteve politike në mes të Shqipërisë dhe Serbisë nuk vërehet fare në raportet ekonomike mes tyre. Vetëm gjatë një periudhe 8-mujore janar – gusht, shteti shqiptar nga Serbia ka importuar mallra në vlerë prej 108 milionë eurosh.
Serbia zë vendin e gjashtë për importet e Shqipërisë për këtë periudhë kohore të vitit 2014, ndërsa Italia dhe Greqia dominojnë në krye të listës.
Këto të dhëna janë zyrtare nga Dogana e Shqipërisë, e cila i ka dërguar gazetës “Zëri”, raportin e buletinin e tregtisë së jashtme. Në total, importet e këtij viti shënojnë vlerën e 2.5 miliardë eurove.
Kjo është shuma rekorde që shteti shqiptar ka importuar mallra, pasi në vitin 2010 kishte importuar gjatë kësaj periudhe mallra në vlerë 2 miliardë e 219 milionë euro.
Më 2011 kishte importuar 2.5 miliardë euro mallra, më 2012 Shqipëria ka importuar mall në vlerë 2.4 miliardë euro, kurse më 2013 ka importuar mall në vlerë 2.3 miliardë euro.
Shqipëria me grurë dhe miell mban primatin e importit nga Serbia dhe Rusia. Këto dy vende janë në krye të listës, nga të cilat Shqipëria ka blerë vazhdimisht grurë dhe përzierje grurë-thekër, përgjatë viteve 2001- 2013. Një hulumtim i organizatës “Open Data Albania” tregon se në vitin 2013 u importuan 254 mijë e 228 tonë grurë dhe përzierje grurë-thekër, me një çmim mesatar vjetor blerje 33 mijë e 620 Lekë/Tonë (320 $ për ton).
Në vitin 2013 rreth 68, 5 % e sasisë për këtë grup malli vjen nga Rusia, 11,46% nga Serbia e më pas me radhë vende të tjera. Përveç miellit dhe grurit Shqipëria importon me qindra tonë mbeturina nga Italia për skrap. Në vitin 2011, sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Mjedisit, janë importuar rreth 300.000 tonë skrap dhe 20.000 tonë materiale të ndara plastike për riciklim, kryesisht nga Italia.
“Kjo është afërsisht sa sasia vjetore e plehrave të Tiranës. Dogana shqiptare i kontrollon importet e mbetjeve vetëm mbi bazë kampionesh”, thuhet në këtë raport.
Diferenca në mes të eksportit dhe importit për vitin 2014 është 1.3 miliardë euro, pasi që Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka eksportuar mallra në vlerë prej 1.2 miliardë eurosh, kurse ka importuar 2.5 miliardë euro mallra.
Edhe gjatë vitit 2013 ishte i njëjti trend sa i përket diferencës në eksport – import, pasi që diferenca ishte 1.178 miliardë euro. Diferencë prej afër 1.4 miliardë Shqipëria kishte shënuar edhe gjatë vitit 2012 në raport mes eksportit dhe importit.
Diferenca më e thellë ishte shënuar gjatë vitit 2012, kur kishin arritur shifrat 1.5 miliard euro.
Kurse në vitin 2010 diferenca në mes eksportit dhe importit ishte në vlerë prej 1.4 miliard.



