
| Situata në të cilën gjendet vendi, duket se ka ndikuar edhe në humbjen e besimit të faktorit ndërkombëtar në spektrin politik kosovar. Këtë e ka bërë të ditur, edhe senatori Chris Murphy, i cili së fundmi ka realizuar një vizitë në Kosovë dhe atë me agjendë të reduktuar. Në një intervistë për Koha Ditore, Murphy ka thënë se zgjidhja për krijimin e institucioneve është në dorën e presidentes Jahjaga. Kjo pasi që ai konsideron se Jahjaga është personi i vetëm në skenën politike të Kosovës e cila nuk është e korruptuar. “Të gjithë pajtohen se ajo është një nga personat, në mos lideri i vetëm i pakorruptuar në skenën politike në Kosovë”, ka thënë Murphy. Ai ka theksuar se faktori ndërkombëtar ka besim të madh se nën udhëheqjen e saj do të formohet koalicioni i cili do ta bëjë Qeverinë e re. “Mendoj që presidentja është personi i përsosur që të ndihmojë në krijimin e Qeverisë së re. Kemi besim të madh se nën udhëheqjen e saj do të formohet koalicioni”, ka theksuar Murphy, ndërsa është shprehur skeptik për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. |


