Rivendosja e ndalesës së presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve nga shtatë vende me shumicë myslimane do të sillte kaos përsëri, thonë avokatët e dy shteteve amerikane.
Këshilli për Washingtonin dhe Minnesotan i ka bërë thirrje Gjykatës Federale të Apelit në San Francisco që ta mbajë në fuqi vendimin e saj të përkohshëm që ia shfuqizon Trumpit urdhrin ekzekutiv ndaj emigrantëve, transmeton Express.
Ndërkohë, edhe firmat e tekonologjisë janë duke i mbështetur avokatët, duke thënë se ndalesa e Trumpit është e dëmshme ndaj bizneseve të tyre.
Akovatët e Administratës së Trumpit pritet që sot të dalin me deklaratë.
Ndalesa e Trumpit, e cila i prek njerëzit nga shtatë vende me shumicë myslimane, u bllokua të premten nga gjykatësi federal në Seattle.
Ndërkohë, të shtunën pasuese, Gjykata Federale e Apelit e hodhi poshtë kërkesën e Administratës së Trumpit për të rivendosur ndalesën.
Kjo do të thotë se ndalesa e Trumpit do të mbetet e suspenduar dhe bartësit e vizave nga Iraku, Siria, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni do të lejohen të futen në SHBA deri sa rasti i plotë të zgjidhet nga gjykata.


