Pas panikut nga tërmetet një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në Itali.
Mediat italiane raportojnë se një ortek i fuqishëm ka shkatërruar një hotel aplin në Gran Sasso, zonë turistike pranë Peskarës.
Nga raportimet në terren, mediat italiane shkruajnë se ekipet e shpëtimit kanë mundur të arrijnë në hotel “Rigopiano”, por ajo që shohin është katastrofë.
Repubblica shkruan se ka shumë të vdekur dhe persona të tjerë të bllokuar brenda.
Brenda hotelit janë bllokuar rreth 20 persona, kurse vetëm 2 persona ishin fatlumët që dolën para se t’i përshinte orteku.
“Ka shumë të vdekur”, tha Antonio Crocetta, kreu i një ekipi të shpëtimit, përcjell Panorama.
Ajo që duket gjë e mirë mes gjithë kësaj ngjarje është vetëm fakti që nuk ishte fundjavë dhe për pasojë numri i turistëve brenda hotelit nuk ka qenë i madh.
“Në fundjavë do të kishte së paku 200 persona”, thonë burimet.
Një zyrtar i zonës thotë për mediat se trashësia e borës është deri në tre metër dhe ndërhyrja është shumë e vështirë.
“Ka trashësi shumë të madhe bore, nuk di a do arrijmë dot”- thotë ai.
Ndërkohë Guvernatori i Peskarës Antonio Di Marco shkruajti në facebook: “Fatkeqësisht, një tragjedi e tmerrshme ndodhi. Do të ketë fatalitete por duhet kohë për ta konfirmuar”.
Forcat e emergjencës dëshpërimisht u përpoqën të shpëtojnë njerëzit, por u është dashur të zmbrapsen për shkak të stuhisë së borës.






