Kremlini ka thënë sot se është tepër herët të komentojë në propozimin që ia bëri presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, për një marrëveshje me Moskën për reduktimin e armëve bërthamore ruse në shkëmbim që Uashingtoni t’i heqë sanksionet e imponuara ndaj Moskës në lidhje me krizën në Ukrainë.
Në një intervistë me gazetën londineze “The Times of London” të publikuar dje, Trump tha se do t’i propozonte Rusisë heqjen e sanksioneve amerikane në shkëmbim që kjo e fundit t’i reduktojë armët bërthamore, transmeton Express.
Por, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë sot para gazetarëve se Rusia do të presë derisa Trumpi të marrë detyrën si president, e pastaj do të komentojë për këtë çështje.
“Të gjitha këto lajme për marrëveshje paraprake dhe takime nuk përputhen me realitetin. Rusia do të presë derisa Trump të betohet si president e pastaj do të komentojë,” ka thënë ai./Express/


