Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell, tha se Kongresi do të hetojë vlerësimin e CIA-s se Qeveria e Rusisë ka përdorur hakerët kompjuterikë për t’i ndihmuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump, të fitojë zgjedhjet.
Njoftimi vjen në kohën e debateve intensive midis politikë-bërësve amerikanë, zyrtarëve zgjedhorë dhe komunitetit të inteligjencës në lidhje me shkallën e veprimit të hakerëve dhe qëllimin e tyre.
Shtëpia e Bardhë, e cila ka urdhëruar një hetim të thellë të sulmeve kibernetike gjatë fushatës zgjedhore, e mirëpriti lajmin për hetime nga Komiteti i Inteligjencës i Senatit.
McConell tha se rusët nuk janë miq të SHBA-së dhe dënoi sulmet e mundshme kibernetike në kompjuterët e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe në organizatat e tjera politike të SHBA-së, raporton Rel.
McConnell tha se hetimet mbi ndërhyrjen e mundshme ruse nuk mund të jenë çështje partiake.
Presidenti Barack Obama pritet të marrë rezultatet e hetimeve që ka urdhëruar përpara se Trump të marrë detyrën më 20 janar.
Më 7 tetor, para zgjedhjeve, drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka akuzuar publikisht Qeverinë ruse për përfshirje në sulmet kibernetike në kompjuterët e Partisë Demokratike.
Deklarata e Clapperit është bërë në emër të CIA-s dhe 16 agjencive të tjera që përbëjnë komunitetin e inteligjencës në SHBA.
Më 9 dhjetor, gazeta The Washington Post ka raportuar se CIA ka konstatuar se qëllim i hakerëve rusë ka qenë të ndihmojnë Trumpin që të fitojë presidencën.
Këto konstatime janë hedhur poshtë nga Trump, i cili ka thënë se ato përdoren nga demokratët për të minuar fitoren e tij zgjedhore.
Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, po ashtu mbështeti idenë që Komiteti i Inteligjencës të hetojë sulmet e mundshme kibernetike në procesin zgjedhor në SHBA.


