Jo çdo rast i diabetit tip 2 shfaqet me simptoma të qarta dhe të njohura si, etja e tepërt, vajtja e shpeshtë në banjë dhe mpirja e duarve apo këmbëve.
Ekzistojnë disa shenja si gërhitja, njollat në lëkurë apo kruarjet që mund të jenë tregues se vuani nga diabeti:
Probleme me lëkurën – Njolla të errëta, si të mavijosura, zakonisht në kurriz, bërryla ose tek grushti i dorës, janë shpesh shenja të hershme të niveleve të larta të sheqerit në gjak.
Përmirësim i papritur i shikimit – Përmirësimi në mënyrë të papritur i shikimit mund të mos jetë lajm shumë i mirë. Shpesh, shikimi jo i qartë konsiderohet si një ndër simptomat e diabetit, por në të vërtetë, shikimi mund të ndryshojë për mirë ose për keq. Disa pacientë pësojnë përmirësim të shikimit kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë. Diabeti shkakton lëvizjen e lëngjeve të trupit, përfshirë brenda në sy.
Kruarje të tepërta – Diabeti dëmton qarkullimin e gjakut, që çon në tharje dhe kruarje. Shumë pacientë të diagostikuar me diabet shfaqin kruarje tek duart, pjesën e poshtme të këmbëve apo në shputë.
Probleme me dëgjimin – Nëse e gjeni veten duke ngritur volumin e televizorit dhe nuk kuptoni një bisedë pa i bërë të tjerët që të përsërisin veten, atëherë është e nevojshme të bëni një test të sheqerit në gjak. Një studim i realizuar nga “National Institute of Health”, në SHBA, tregon se humbja e dëgjimit mund të jetë një shenjë e hershme e diabetit. Shkencëtarët besojnë se diabeti dëmton enët e gjakur dhe nervat e pjesës së brendshme të veshit, duke shkaktuar probleme në dëgjim.
Gërhitja e rëndë – Gati gjysma e diabetikëve të tipit 2 kanë probleme me frymëmarrjen në gjumë, ndaj nëse keni gërhitje të rëndë gjatë natës dhe ndiheni të përgjumur/pa energji gjatë ditës, është e këshillueshme që të masni nivelin e sheqerit në gjak. Një studim i fundit kanadez tregoi se 23 % e pacientëve të diagnostikuar me apnean e gjumit, një çrregullim mjaft i përhapur i gjumit, brenda 5 viteve e gjysmë, iu shfaqej diabeti. Lidhja mes të dyjave nuk është ende shumë e qartë, megjithatë pacientët që kanë probleme me gjumin tentojnë që të çlirojnë hormone, që mund të rrisin nivelin e sheqerit në gjak. /tvklan.al