Organizata austriake “Alianz Fur Kinder”, nga viti 2004 e deri tash, ka dërguar rreth 300 fëmijë nga Kosova për shërim në Austri. Më 20 nëntor kjo organizatë pritet të bëjë përzgjedhjen e fëmijëve tjerë që do të dërgohen për shërim atje.
Organizata austriake “Alianz Fur Kinder” është organizatë që ndihmon fëmijët nga Kosova për tretman mjekësor në Austri.
Kushtet materiale të familjeve që kanë fëmije me sëmundje të ndryshme në Kosovë, shpesh i privon ata nga mundësia për t’ju ofruar fëmijëve të tyre tretmanin e nevojshëm mjekësorë.
Por, shpëtimi për familje të tilla jo rrallë ka ardhur nga organizata të tilla si “Alianz Fur Kinder”, e cila vepron në Kosovë dhe të gjitha shërbimet i kryen me financa vetanake.
Isa Keka, është një prind i cili ka pas fatin që vajza e tij e cila kishte problem ortopedike të përfitoj nga ndihma e ofruar nga kjo organizatë, pasi që fillimisht kishte dështuar për t’i ofruar fëmijës së tij një tretman adekuat këtu në Kosovë.
“E ka pasur kërdhokullën e nxjerrë prej vendit. E kanë mbajtur tre muaj ditë, krejt me financa të vetat, asnjë cent unë nuk e kam dhënë. Herën e dytë, pas një viti e ka pasur kontrollin… Tash është shumë mirë. Nuk e di…, po të kisha mundësi të bëj diçka për ta… Ata mi kanë hequr vuajtjet e mia”, thotë Isa Keka.
Bashkëpunëtori i organizatës austriake “Alianz Fur Kinder”, Rrahim Jupolli, sqaroi se kjo organizatë ka filluar të ofrojë ndihmë për fëmije me probleme shëndetësore në Kosovë, qysh nga viti 2004, dhe të gjitha shërbimet që organizata i ofron janë falas.
“Deri më tani kanë përfituar më shumë se 300 fëmijë nga Kosova. Ka raste kur një fëmijë shkon edhe 3-4 herë, kur ka intervenime të njëpasnjëshme”, thotë Jupolli.
Jupolli po ashtu shpjegoi se kush ka përparësi për të përfituar nga kjo ndihmë.
“Problemet me zemër i marrim, fëmijët me vrima në zemër. Problemet kirurgjike, ortopedike, urologjike. Mirëpo, shoqata nuk i merr fëmijët që janë më leukemi dhe kancer, sepse shpenzimet janë shumë të mëdha”, shton më tej Rahim Jupolli.
“Alianz Fur Kinder” më 20 të këtij muaji do të vijë në Kosovë me një grup mjekësh nga Austria për të kryer vizita mjekësore në Shtëpinë e shëndetit në Fushë-Kosovë, që më pas t’i përzgjedh fëmijët për trajtim mjekësor në klinikat austriake


