Jemi në prag të fillimit të sezonit të dytë të serialit vendor”Stinë Dashurie”. Kemi realizuar një intervistë me aktoren Albulena Kryeziu, e cila mban rolin e Mimozës, një vajzë që dashuron Albanin. Lexojeni se çka kanë të përbashkëta Albulena dhe Mimoza, si do jetë përfundimi i serialit, fillet e karrierës së saj etj. Vlen të ceket se Albulena ka udhëhequr disa edicione të festivalit Lyra Fest, ka qenë pjesë e serialit: “O Sa Mirë”, në sezonin e parë si dhe pjesë e disa videoklipeve.
- Elvana Gjata – Nuk Janë Më
- Vali Kuçi – Arsye S’Kam
- Blero – Fiksimi Im
- Edona Reshitaj – Asgjë Nuk Ndryshojmë
Intervistoi: Albina Zeneli, LipjaniNews
LipjaniNews: E dimë që e ke rolin kryesor në serial vendor “ Stinë dashurie”, sa jeni e kënaqur me këtë rol?
Albulena Kryeziu: Është kënaqësi e veçantë që ky rol më ka takuar mua, por sa jam e kënaqur unë me punën time është pak e vështirë të thuhet. Gjithmonë mundohem ta jap më të mirën nga vetja por prapë se prapë lë hapësirë për vetëkritikë.
LipjaniNews: Albulena dhe Mimoza, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e këtyre karaktereve, me një fjalë a e gjeni vetën tek roli i Mimozës?
Albulena Kryeziu: Të krijosh një karakter do të thotë 1+1 = 1 që do të thotë vetja dhe personazhi krijojnë një karakter të ri. Kështu që diçka të përbashkët kemi, ndoshta një qetësi në momente të vështira. Kjo është një nga karakteristikat e përbashkëta.
LipjaniNews: Keni diplomuar qe gjashtë vite, sa ju kanë ndihmuar rolet e deritanishme për avancimin e këtij profesioni?
Albulena Kryeziu: Secili rol është si të thuash një shkollë në vete. Varet nga mënyra se si i qasesh, por normalisht që përvoja për një aktore është një minierë e vërtetë.
LipjaniNews: Si fillon një ditë e juaja?
Albulena Kryeziu: Një ditë e imja e zakonshme është me prova ose gjirime! Gjithçka e organizoj në bazë të projekteve në të cilat jam e angazhur. Në kohën kur nuk kam punë, dal pi ndonjë kafe me shoqet e mija ose edhe dal thjeshtë për të ecur.
LipjaniNews: Cilat janë fillet e karrierës tuaj në këtë profesion?
Albulena Kryeziu: Paraqitja ime e parë në skenë ka qenë kur i kam pasur 5 vjet .Por nëse flasim për karrierë profesionale konsideroj që ka filluar menjëherë pas diplomimit.
LipjaniNews: Zbuloni për ne ndonjë ekskluzivitet nga sezoni i dytë i serialit“Stinë Dashurie”?
Albulena Kryeziu: Nuk është se mund të zbuloj ndonjë gjë të re, nuk kemi filluar ende me gjirime kështu që nuk jam në dijeni se çfarë do të ndodhë në sezonin e ri.
LipjaniNews: Nëse nuk do të ishte aktrimi cilin profesion do e zgjidhje?
Albulena Kryeziu: Nuk e kam menduar kurrë një profesionin të dytë. Mbase ështëkeq për mua ,por sinqerisht veten nuk e shoh në asnjë profesion tjetër.
LipjaniNews: Në Kosovë nuk ka edhe aq kushte për zhvillimin e këtij profesioni. Por ju si e gjeni vetën në praktikimin dhe në luajtjen e roleve?
Albulena Kryeziu: Artistët në Kosovë,(shumicën prej tyre) i mban një “entuziazëm artistik”nëse mund ta quaj ashtu. Me gjithë vështirësitë që hasim, prapë se prapë jetoj prej këtij profesioni dhe pavarësisht dëshpërimeve vazhdoj përpara.
LipjaniNews: Nga cilat kritere caktohet një rol përkatës?
Albulena Kryeziu: Normalisht që i kam parimet e mija si aktore, jo çdo rol është për mua. Kriteret varen nga rrethanat qe krijohen. Kushti i parë është skenari, pastaj kush është regjisor/e etj.
LipjaniNews: Si do jetë fundi i serialit mjaft të shikuar në trevat shqiptare, a do bashkohesh me Albanin?
Albulena Kryeziu: A do të bashkohet Mimoza dhe Albani është në duart e skenaristëve, ende nuk kanë arritur deri te ajo pikë. Mund të ketë edhe fund tragjik por uroj që të bashkohen pasi që shumë shikues më shkruajnë në FB dhe kanë dëshirë të madhe që seriali të ketë një fund të lumtur!