Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se skuadra e tij tanimë është e gatshme të përballet me ndeshjet e vështira që i presin gjatë muajit shkurt, në Premierligë, Ligë të Kampionëve e FA Cup.
“Djajtë e kuq” ende nuk e kanë humbur asnjë ndeshje që kur Solskjaer është emëruar në pozitën e trajnerit, më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Ai ka arritur t’i fitojë tetë ndeshje nga nëntë të zhvilluara, ndërsa të fundit e ka barazuar, transmeton Gazeta Express.
Ecuria e mirë e Manchester Unitedit ka bërë që ata të kenë vetëbesim për ndeshjet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji, kur fillimisht do të përballen me Leicester Cityn dhe Fulhamin në Premierligë, para se të ndeshen me Paris Saint-Germainin në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve do të ndiqet nga ndeshja kundër Chelseat në Stamford Bridge, në kuadër të FA Cup. Edhe pas Chelseat, Solskjaer nuk do të ketë mundësi t’u japë pushim lojtarëve të tij, pasi që ata i pret ndeshja kundër Liverpoolit në Premierligë, më 24 shkurt.
Megjithatë, trajneri Solskjaer beson se ai dhe lojtarët e tij janë të gatshëm për sfidën që e kanë para vetes.
“Skuadra jonë është e pajisur shumë mirë, tani i kemi kaluar gjashtë javë së bashku, i kemi zbuluar dobësitë dhe pikat e forta tona. U kemi bërë ballë shumicës së sfidave që i kemi pasur”, ka thënë Solskjaer.
“Ndoshta golat që i kemi pranuar kundër Burnleyt do të na ndihmojnë të ngrihemi në një nivel më të lartë sepse ia kemi dhënë vetes mundësinë ta fitojmë një vend për të hyrë në top katërshe të Premierligës”.
“Ne fillojmë me këtë ndeshje kundër Leicesterit, pastaj e kemi Fulhamit. Pas këtyre dyjave, do t’i kemi tri ndeshje kundër klubeve me emra të mëdhenj, kundër PSG-së, Liverpoolit e Chelseat. Pastaj duhet të mendojmë për ndeshjen që do ta luajmë si mysafir kundër Crystal Palace”.
“Është një muaj i vështirë, por ne jemi gati. Unë jam duke e drejtuar një skuadër të madhe, vetëm Marcos Rojo do të na mungojë për një periudhë kohore”. /Gazeta Express/


