Trajneri i ri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka bërë të ditur se është i emocionuar për ndeshjen kundër Arsenalit, e cila do të zhvillohet sot në stadiumin Emirates. Për këtë arsye, ai i ka kujtuar disa raste të këtij derbi, që kishin ndodhur gjatë kohës sa ai ishte lojtar i “Djajve të kuq”.
Solskjaer kishte qenë pjesë e klubit anglez edhe para se të emërohej në pozitën e trajnerit. Ai kishte luajtur si sulmues i “Djajve të kuq” përgjatë viteve 1996-2007 dhe shpeshherë ishte ndeshur me Arsenalin, transmeton Gazeta Express.
Ai do ta ketë mundësinë ta përjetojë ndjesinë e këtij derbi, mes Manchester Unitedit dhe Arsenalit, pasi që dy klubet do të ndeshen sonte në stadiumin Emirates, në kuadër të rundit të katërt të FA Cup.
Kur u pyet nga gazetarët e pranishëm për ndeshje që do të zhvillohet sonte, trajneri norvegjez i kujtoi disa nga momentet që i mbante mend nga ky derbi, kur kishte qenë lojtar.
“Kishte disa përleshje në tunel dhe në fushë. Kjo është gjithçka që mua më pëlqente për futbollin, ai pasion. Pastaj ti i sheh tani Patrick Vieiran dhe Roy Keane duke komentuar ndeshje së bashku në televizion”, ka thënë Solskjaer në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Kishim një rivalitet të veçantë. Natyrisht, shpresoj se do të kthehemi përsëri në atë nivel. Ti e sheh formën e Manchester Cityt dhe Liverpoolit në këtë moment. Ato janë dy ekipe shumë të mirë dhe kanë luajtur futboll fantastik gjatë kohës së fundit, por le të presim e ta shohim se sa do të zgjasë kjo”.
“Rivaliteti me Arsenalin ishte shumë i veçantë sepse çdo vit gara për titullin e Premierligës ishte mes neve, derisa erdhi Jose Mourinho me ekipin e tij në Chelsea”. /Gazeta Express/


