Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, do të bëhet portieri më i paguar në botë nëse transferohet në Paris Saint-Germain gjatë afatit kalimtar të verës, kur edhe i përfundon kontrata me “Djajtë e kuq”.
28-vjeçari thuhet se nuk e ka pranuar deri më tani ofertën e klubit anglez për rinovim të kontratës pasi që e dinte se një ofertë prej 340 mijë eurosh në jave do t’i vinte nga kampioni francez, transmeton Gazeta Express.
PSG-ja ka probleme me rregullat e transferimit, Financial Fair Play (FFP), por ata do të arrinin t’i shmangeshin shkeljes së këtyre rregullave përmes shitjes së Neymarit në Real Madrid, duke e ndërtuar kështu skuadrën rreth Kylian Mbappes.
Spanjolli mund t’i fitojë rreth 17,5 milionë euro në vit si pagë nga PSG-ja. Kontrata e tij pritet të jetë prej katër vjetëve, që bën ta ketë vlerën rreth 70 milionë eurosh.
Humbja e një lojtari si De Gea do ta dëmtonte shumë skuadrën e Manchester Unitedit dhe trajnerin Jose Mourinho, por Dailymail raporton se ata tanimë e kanë gjetur zëvendësuesin e spanjollit, Jordan Pickford.
PSG-ja e kishte transferuar portierin legjendar italian, Gianluigi Buffon, nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të verës, por plani ishte që ta mbanin 40-vjeçarin si portier të parë vetëm për një sezon. /Gazeta Express/