David De Gea ende nuk ka arritur marrëveshje për të nënshkruar kontratë të re me Manchester Unitedin, mirëpo trajneri Ole Gunnar Solskjaer po shpreson se do të ketë lajme pozitive për këto negociata.
Fillimisht, kontrata e portierit spanjoll pritej të përfundojë këtë verë, mirëpo drejtuesit e Manchester Unitedit e aktivizuan një klauzolë në kontratën e tij, që e mban De Gea në Old Trafford deri verën tjetër, transmeton Gazeta Express.
Përkundër kësaj zgjatjeje të kontratës, klubi dhe menaxheri i De Geas, Jorge Mendes, janë duke mbajtur negociata për ta arritur një marrëveshje për kontratë të re. Që të dy palët duan që De Gea ta vazhdojë karrierën në “Teatrin e Ëndrrave”, mirëpo ende nuk janë finalizuar detajet e tjera.
Gjatë ditëve të fundit është raportuar se kontrata e re është shumë afër finalizimit, mirëpo trajneri Ole Gunnar Solskjaer ka thënë se ai nuk ka marrë asnjë lajm për një gjë të tillë nga drejtuesit e klubit.
“Nuk kam asnjë përditësim për këtë gjë. Klubi dhe De Gea janë në negociata, shpresoj se do të arrijnë marrëveshje. Kjo është jashtë kontrollit tim, por jam i sigurt se ne do të bëjmë gjithçka që mundemi”, ka thënë Solskjaer.
“Davidi ka bërë punë fantastike që kur ka ardhur këtu. Klubi e ka treguar më të vërtetë se sa shumë e do, qysh nga dita kur Eric Steele dhe Alex Fergusoni e gjetën atë. Atëherë, ndoshta kishte edhe portierë më të mirë, por trajneri i besoi atij”.
“Ai ka qenë lojtari më i mirë i vitit për shumë sezone. Jemi mirënjohës që e kemi në skuadër. Por, ne e kemi edhe Sergio Romeron dhe Lee Grant. Departamenti i portierëve te ne është i mrekullueshëm. Nuk mendoj se ndonjë trajner mund të më mposhtë në këtë aspekt”. /Gazeta Express/


