Lautaro Martinez ka thënë se është duke shpresuar që bashkëkombësi dhe bashkëlojtari i tij, Mauro Icardi, do të kthehet sa më shpejt në skuadrën e klubit zikaltër.
Problemet rreth Icardit kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit, pasi që klubi zikaltër ia hoqi atij shiritin e kapitenit për shkak të komenteve të agjentes dhe bashkëshortes së tij, Wanda Naras në televizion për negociatat e rinovimit të kontratës, transmeton Gazeta Express.
Që nga momenti kur u mor ky vendim për shiritin e kapitenit, 26-vjeçari nuk ka luajtur në ndeshjet e Interit, kundër Rapid Viennas dhe Sampdoria. Nëse Interi nuk pranon t’ia kthejë shiritin e kapitenit, atëherë kjo situatë mund të zgjasë edhe më tej. Në pozitën e tij është duke luajtur Martinez.
“Të martën ishte ditëlindja e tij, ne i thamë mirupafshim dhe ia uruam ditëlindjen e atij. Ai ishte i lumtur që ishte me ne. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë”, ka thënë Martinez për Sky Sport Italia.
“E ardhmja e tij do të varet ekskluzivisht nga vendimi që ai e merr dhe atij që e menaxhon, por jo nga ne, bashkëlojtarët. Për ne, ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Shpresojmë se do të kthehet në skuadër së shpejti”.
Sulmuesit të Interit i ishte marrë shiriti i kapitenit të mërkurën e javës së kaluar, para ndeshjes së Evropa Ligës kundër Rapid Viennas. Rolin e kapitenit në skuadrën e zikaltërve tani do ta ketë Samir Handanovic.
Pas këtij vendimi të Interit, Icardi e hoqi veten nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Evropa Ligës, duke sugjeruar në rrjetet sociale se ishte i lënduar, mirëpo Spalleti më vonë tha se ky kishte qenë vendimi i sulmuesit.
Për të ardhmen e Icardit është spekuluar tash e një kohë të gjithë pasi që bashkëshortja dhe agjentja e tij, Wanda Nara, nuk ka arritur marrëveshje me Interin për ta rinovuar kontratën. /Gazeta Express/