Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se mbrojtësi anësor i skuadrës së tij, Benjamin Mendy, mund të bëhet lojtar i klasit botëror, mirëpo kërkon nga ai të tregohet më i pjekur, duke theksuar se nuk është babai i tij.
Karriera e Mendyt që nga transferimi në Manchester City nga Monaco ka qenë e ndikuar nga lëndimet e shumta. Lëndimi i tij i fundit ka bërë që francezi të mbetet jashtë fushës për edhe dy muaj të tjerë, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, Mendy pritet të kthehet në fushën e lojës në ndeshjen kundër Burton Albionit, e vlefshme për gjysmëfinalen e Carabao Cup. Manchester City e kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 9-0 dhe e ka pothuajse të sigurt një vend në finale.

Kthimi i Mendyt nga lëndimi është një lajm i mirë për kampionin në fuqi të Premierligës, pasi që trajneri Guardiola ishte detyruar që deri më tani t’i përdorte Fabian Delph, Aymeric Laporten dhe Oleksandr Zinchenkon në këtë pozitë.
24-vjeçari është bërë i famshëm për përdorimin e tij të rrjeteve sociale, ku ka më shumë se 1 milion ndjekës në llogarinë e tij në Twitter. Përderisa Guardiola është i kënaqur që Mendy po i kthehet skuadrës së tij, ai kërkon nga francezi të jetë më i përqendruar në ndeshjet e futbollit.
“Unë jam i kënaqur me Benjaminin. Jam i mërzitur sepse nuk kishim mundësi të luajmë me të për një kohë të gjatë për shkak të lëndimeve të tij. Mirëpo, nganjëherë gjëra të tilla ndodhin”, ka thënë Guardiola.
“Mënyra se si është duke u stërvitur, mënyra se si sillet në zhveshtore… nuk mund ta imagjinoni sa shumë e duan atë njerëzit. Jam i kënaqur, thjesht dua ta kem mundësinë për ta përdorur atë edhe më shumë. Kjo është e gjitha”.
“Nuk jam i pakënaqur me Mendyn, sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale. Nuk jam këtu për t’ia ndryshuar mentalitetin e tij. Mënyra e tij, mënyra se si ai jeton… është ashtu si është. Kur ne e transferuam atë, e dinim këtë”.
“Kështu që, kur ne flasim për seancat stërvitore, është gjithmonë e përsosur. Por, ai është shumë aktiv në rrjetet sociale. Atij i pëlqen kjo gjë. Ne tentuam ta bindim, por unë nuk jam babai i tij. Unë i them atij: ‘Përqendrohu në punën tënde. Je i ri, mund të bëhesh mbrojtësi më i mirë anësor, por kjo gjë varet nga ti’”. /Gazeta Express/


