Shtatëmbëdhjetë Komuna të Kosovës, do të marrin pjesë në projektin më të madh të financuar nga Ambasada e Zvicrës, projekt ky i cili ka për qëllim që të përmirësoj qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në tri fusha.
Fushat në të cilat do investohet janë shërbimet publike, menaxhimi i mbeturinave, menaxhimi financiar si dhe demokracia lokale.
Norbert Pijls, menaxher i projektit DEMOS, ka thënë se ky projekt do të zgjas rreth tri vite, i cili do të jetë paralel me mandatin e Kuvendeve Komunale si dhe kryetarëve të komunave.
Ndërsa ambasadorja Zvicrane në Kosovë, Krystyna Marty Lang, ka thënë se nuk është çudi pse Zvicra e mbështetë Kosovën, pasi që sipas saj këto dy shtete kanë ndërlidhje të forta njerëzorë, për faktin se 10 për qind e popullatës së Kosovës jetojnë në Zvicër.
“Zvicra është një aleat i fortë i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë kur janë në pyetje sferat politike dhe përmirësimi i më tejmë i infrastrukturës, mirëpo, edhe me softuerin ku edhe ju jeni të përfshirë. Sa i përket kontributit zvicerian për Kosovën, ne momentalisht jemi në vendin e katërt para SHBA-ve, Gjermanisë dhe Norvegjisë, të cilët ju japin juve një indikacion se sa me rëndësi e trajtojmë Kosovën. Kemi zgjedhur 17 komuna partnere me projektin që ne e kemi quajtur DEMOS”, është shprehur ambasadorja zviceriane.
Komunat pjesmarrëse janë: Prishtina, Gjakova, Peja, Kamenica, Hani i Elezit, Juniku, Graçanica, Kllokoti, Kaçaniku, Lipjani, Novobërda, Parteshi, Rahoveci, Ranilluku, Shtimja, Shtërpca si dhe Vitia.


