Zinedine Zidane nuk e ka fshehur gëzimin pas triumfit me Real Madridin
Real Madridi është kampion i ri i Spanjës. Los Blancos fituan titullin e 33 në histori të klubit, trofe që i mungonte që nga viti 2012.
Pas ndeshjes me Malaga, ku Real Madridi fitoi 2:0, teksa kishte nevojë vetëm për një pikë për t’u shpallur kampion, ka folur edhe trajneri, Zinedine Zidane.
Ai e përshkruan këtë ditë si më të lumturën, pasi tashmë thotë se ka fituar gjithçka me Realin.
Zidane ka treguar se çelësi i këtij suksesi është grupi i bashkuar.
“Kemi arritur këtë falë punës së vështirë dhe grupit të bashkuar, që për 38 ndeshje dhamë më të mirën tonë”, tha fillimisht Zidane.
“Kampionati në Spanjë është më e forti në botë, ky është një moment i veçantë për mua”, shtoi ai.
“Të gjithë meritojnë lavdërime, para se gjithë lojtarët. Ata besuan në mesazhin që u kam dhënë. Është dita më e lumtur në karrierën time si trajner”, u shpreh më tej Zizu.
“Kam fituar gjithçka me këtë klub dhe duke fituar La Ligan është gjëja më e mirë”, theksoi mes tjerash trajneri Zidane. /Gazeta Express/


