Përderisa shumica e futbollistëve të Premierligës janë duke pritur që ndeshjet e futbollit të rinisin, mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, është duke e shfrytëzuar këtë kohë për të studiuar për gradën e tij universitare.
23-vjeçari u kthye në Spanjë për të qëndruar bashkë me familjen e tij kur ndeshjet e futbollit dhe stërvitjet u anuluan shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, përderisa vazhdoi t’i ndiqte programet individuale për stërvitje nga shtëpia, transmeton Gazeta Express.
Por, përfaqësuesi spanjoll, i cili jetonte në konvikte studentore përderisa luante për Villarrealin në La Liga, e ka shfrytëzuar këtë ndërprerje të futbollit edhe për t’i vazhduar studimet universitare për administrim të biznesit dhe menaxhim.
“Është një situatë e vështirë për të gjithë, jo vetëm në Spanjë, por kudo në botë. Ne nuk mund ta dimë saktësisht se çfarë po ndodh, sa njerëz janë infektuar, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë tani”, ka thënë Rodri.
“Ne të gjithë e kemi dikë të afërt, një shok apo një familjar i cili është prekur disi nga koronavirusi, kështu që kjo nuk është e lehtë. Ne tentojmë ta kalojmë kohën në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Unë e kam shfrytëzuar këtë kohë për t’i bërë detyrat e shtëpisë nga studimet e mia universitare, pasi që i kam disa provime brenda pak ditësh. Për më tepër, natyrisht se kam qenë duke u stërvitur dhe duke tentuar ta mbaj formën time”.
“Jam i sigurt se do të më ndihmojë në të ardhmen, në një mënyrë apo në një tjetër. Nuk mund ta dish kurrë. Kur ta përfundoj karrierën time si lojtar, do të më pëlqente të qëndroja i lidhur me botën e sportit”. /Gazeta Express/


