Xhafer Gashi i bashkohet LDK-së, Abdixhiku i lumtur: Sot është ditë e vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq

PUBLIKUAR

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, bashkë me anëtarë e struktura të Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare, sot, në një ceremoni solemne, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është bashkuar edhe zyrtarisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në njoftimin e LDK-së thuhet se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi që i uroi mirëseardhje kryetarit Gashi dhe bashkëpunëtorëve të tij, tha se kjo është një ditë e veçantë, të cilën e cilësoi si një ditë të rritjes, bashkimit dhe të vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq.

“Kjo ceremoni e sotme, në pjesëmarrje kaq masive, është vulë e fuqisë sonë politike, fuqi që buron nga bashkimi ynë ideologjik, nga nevoja për reforma të thella strukturore, si dhe nga vizioni që ndajmë për të ardhmen tonë politike, për Obiliqin e për Kosovën”, theksoi kryetari Abdixhiku.

Kryetari Abdixhiku e vlerësoi lart figurën e Xhafer Gashit, për të cilin tha se është patriot i madh, kryetar i suksesshëm i komunës, luftëtar i Koshares dhe mik i heronjve Agim Ramadani e Sali Çekaj.

Ndër të tjera, kryetari Abdixhiku, theksoi se bashkimi, rritja dhe hapja ndaj patriotëve si Xhafer Gashi e veprimtarëve të tjerë në të gjitha nivelet organizative të partisë është esenciale, si dhe bëri thirrje që këtij bashkimi t’i përgjigjen masivisht të rinj e të reja, burra e gra sepse Kosova e LDK-ja ka nevojë për ta, për kushtrimin e madh e ringritjen e madhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët politike. Ta mbrojmë, ta ngrisim, ta lartësojmë drejt triumfeve të reja që na presin përpara”, tha në fund të fjalës së tij kryetari Abdixhiku.

Ndërsa, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ndihet i nderuar që bashkë me anëtarët e Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare për Obiliqin, është bërë pjesë e LDK-së – partisë së themeluar nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

“Reformat e ndërmarra dhe hapja e dyerve të partisë nga kryetari Abdixhiku, kanë bërë të mundur që ne sot të jemi pjesë e LDK-së dhe të rrugëtojmë së bashku”, nënvizoi Gashi. /Telegrafi/

SHIKO MË SHUMË

“Zgjedhje të reja”, Dërguti: Vetëvendosje ka nisur fushatën zgjedhore (VIDEO)

Opininistja Aida Dërguti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka nisur fushatën zgjedhore, duke...

Tollovia në Onkologji, QKUK del me reagim

Radhë të gjata të pacientëve u panë sot në Kliniken e Onkologjisë. Gjatë ditës së...

I riu kosovar vdes tragjikisht në aksident në Gjermani

Një i ri kosovar ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në Gjermani, ditën...