Xavi Hernandez thotë se Barcelona nuk e ka fituar ende kampionatin.
“Blaugrana” nuk e shfrytëzuan gabimin e Real Madridit për t’u shkëputur në 14 pikë në krye të kampionatit, shtatë xhiro pa përfunduar sezoni në La Liga.
Gjiganti katalunas u mposht nga Rayo Vallecano mbrëmë me rezultat 1:2, por sidoqoftë mbetet 11 pikë përpara rivalëve kryesorë për titull të kampionit, shkruan “Gazeta Express”.
Trajneri katalunas i paralajmëron lojtarët e tij duke kërkuar nga ta që të mos gëzohen dhe të festojnë para kohe pasi ka ende lojë për t’u luajtur deri në fund të edicionit 2022/23.
“Nuk e bëmë një lojë të mirë, nuk jemi ndier asnjëherë në rehatinë tonë. Mundësitë që i kishim, nuk i shfrytëzuam. Goli i dytë na ka penalizuar shumë. Kemi provuar deri në fund. E kishim besimin dhe kurajën, por Rayo është fitues i drejt. Na bënë mjaft presion dhe nuk jemi ndier asnjëherë rehat. Një humbje që na mërzit, por shikojmë përpara”, deklaroi fillimisht Xavi pas lojës së luajtur në “De Vallecas” kundër Rayos së Ariolas.
“Mesazhi është i qartë: ka ende shumë lojë. Nuk kemi bërë asgjë, nuk e kemi fituar kampionatin, e kam thënë shumë herë. Fitorja kushton shumë. Çdo ndeshje jashtë shtëpisë është një ‘luftë’. Reali humb, Atletico fiton me vështirësi, ne humbim. Po largohemi paksa të mërzitur pasi ishte një mundësi ideale për ne”, vazhdoi Xavi, teksa e analizoi sezonin e “Blaugrana”. /Gazeta Express/


