Vret gruan dhe plagos vëllain e saj, shkak një konflikt mes çiftit

PUBLIKUAR

Një 62-vjeçar nga Prishtina qëlloi për vdekjen gruan e tij 57 vjeçe dhe plagosi kunatin e tij, 47 vjeç. Ngjarja ndodhi të mërkurën mbrëma, rreth orës 22:00, në rrugën “Muharrem Fejza” në kryeqytet, pikërisht para ndërtesës ku banon familja e të vrarës. I dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, menjëherë pasi kreu krimin, konfirmojnë autoritetet kosovare. Prokuroria nuk jep detaje për rastin. Të tronditur për ngjarjen, refuzojnë të flasin edhe familjarët e viktimës

Rruga përballë ndërtesës, ku mbrëmë ndodhi një vrasje dhe një plagosje, vazhdon të jetë e lyer në gjak. Ndonëse shiritat e policisë janë larguar nga zona e krimit të një nate më parë, një veturë policore vazhdon të qëndrojë e parkuar përballë kompleksit shumëkatësh, ku ndodhi vrasja e një gruaje të moshës 57-vjeçare.

M. G., u qëllua për vdekje, të enjten, rreth orës 22:00, nga bashkëshorti i saj, 5 vjet më i vjetër. Ajo nuk ishte viktima e vetme e armës së zjarrit që shkrepi 62-vjeçari R.G.. Plagë mori edhe vëllai i saj, Xh. H., që aktualisht po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Vrasja mësohet se ndodhi si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes çiftit. Si rrjedhojë, gruaja ishte zhvendosur për banim te familja e saj, aty edhe ku ndodhi krimi.

Menjëherë pas, 62-vjeçari ra në duart e Policisë së Kosovës, duke dorëzuar edhe armën me të cilën kreu krimin. Policia ka bërë të ditur se përveç pistoletës CZ, e kalibrit 7.65mm, atij i është konfiskuar edhe një karikator i zbrazët.

Gazeta Express ka qëndruar vetëm disa orë pas vrasjes, në rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës, për të takuar familjen e viktimës dhe të të plagosurit. Por, ata s’kanë hapur derën e banesës së tyre, të tronditur nga ndodhia, duke i kërkuar ekipit të gazetës “që t’i lënë rehat” – përmes interfonit të ndërtesës.

Nga ana tjetër, QKUK bëri të ditur për media se vëllai i gruas së vrarë, që u plagos mbrëmë nga i njëjti person, vazhdon të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Si pasojë e plagëve të marra, mjekët e konsiderojnë gjendjen e tij shëndetësore “mesatarisht të rëndë”.

Siç mëson Gazeta Express, i plagosuri është operuar në krah dhe në pjesën e shpinës, ku i kishte marrë plagët.

Ndryshe, deri më tash rreth vrasjes janë deklaruar vetëm Policia e Kosovës, përmes një kumtese dërguar mediave. Ndërsa, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kanë refuzuar të japin detaje. Përkundër insistimit të Gazetës Express, prokurorja kujdestare që mori rastin refuzoi ta takojë ekipin e gazetës.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Mati 1 në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri. […] Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me vrasje dhe plagosje me armë zjarri, viktimat janë: M. G., 57 vjeç, femër, shtetase kosovare, e cila duke mos mundur t’u përballojë plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, theksohet tutje nga PK-ja, duke vijuar tutje se “Xh. H., 47 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, i plagosur nga arma e zjarrit, është dërguar për tretman mjekësor në QKUK”.

“Lidhur me këtë ngjarje policia me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka dërguar në qendrën e mbajtjes, një person të dyshuar: R. G., 62 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, të njëjtit nga ana e policisë i është konfiskuar një armë e tipit CZ, e kalibrit 7.65mm (që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë), si dhe një karikator i zbrazët”, bën të ditur i njëjti njoftim i policisë

SHIKO MË SHUMË

Policia me plan operativ për të ofruar siguri për ndeshjen Kosovë-Izrael

Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë në kuadër të zhvillimit të...

Dhjetë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, arrestohen disa persona

Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në disa qytete të Kosovës, përfshirë...

Ndërprerje të energjisë në disa zona, kjo është harta e punimeve

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë ka njoftuar se të shtunën, më...