Veseli uron Bashën: 12 dhjetori, datë e shënuar për të gjithë shqiptarët

PUBLIKUAR

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për përvjetorin e 26-të të themelimit të Partisë Demokratike në Shqipëri i ka dërguar një telegram urimi kryetarit të saj, Lulzim Basha.

Në telegramin e tij, kreu i PDK-së ka thënë se kjo është një datë e shënuar jo vetëm për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë trojeve të tjera, pasi është dita e lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Kjo është letra e plotë e Veselit dërguar Bashës:

I dashur Lulzim,

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju përcjell urimet më të përzemërta për përvjetorin e 26-të të themelimit të Partisë Demokratike.

Kjo është datë e shënuar jo vetëm për shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë trojeve të tjera, pasi është dita e lindjes së pluralizmit politik në Shqipëri.

Krijimi i Partisë Demokratike asokohe ndezi një rreze shprese për të gjithë shqiptarët që kishin ëndërruar për dekada me radhë shembjen e regjimit komunist më të egër dhe më izolues në Evropë dhe hapjen e Shqipërisë drejt lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Me këtë rast, dëshiroj t’ju përgëzoj juve dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë Demokratike për arritjet e deritanishme dhe kontributet e dhëna në proceset më të rëndësishme që ka kaluar vendi gjatë tranzicionit. Gjithashtu, ju uroj suksese në vazhdimin e përpjekjeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mirëpres intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ndërpartiak dhe forcimin e marrëdhënieve tona miqësore në të mirë të shteteve tona. Edhe njëherë, shpreh urimet e sinqerta për gjithë anëtarët e Partisë Demokratike për këtë datë të rëndësishme jo vetëm për ta, por edhe për demokracinë shqiptare.

SHIKO MË SHUMË

Haxhiu pranon dekretin për Ligjin e Byrosë, nis faza e zbatimit

Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka pranuar nga Presidenca dekretin për...

Presidentja pret Prattipatin, flasin për zhvillimet politike: Kosova e përkushtuar në marrëdhëniet me SHBA’të

Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë...

Erërat e forta shkaktojnë dëme në disa objekte, komuna apelon për kujdes

Erërat e forta kanë shkaktuar dëme në disa objekte në Drenas, duke paraqitur rrezik...